Site icon Telegrafi

Rizvanolli: Gënjeshtër se pajisjet efiçiente shkaktuan mbingarkesë në rrjetin elektrik

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka demantuar pretendimet se kinse masat e subvencionimit te pajisjeve efiçiente të ngrohjes kanë ndikuar, ose edhe shkaktuar rritjen e konsumit të energjisë dhe mbingarkesën në rrjetin e furnizimit.

Rizvanolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është një gënjeshtër që nuk ka bazë as teorike, e as empirike.

“Vetëm familjet që kanë qenë duke u ngrohur me energji elektrike dhe nuk kanë qasje në ngrohje qendrore/kolektive, kanë pasur të drejtë të përfitojnë subvencion për pompë termike ose klimë efiçiente. Nëse pajisjet joefiçiente zëvendësohen me pajisje efiçiente, teorikisht, natyrisht që konsumi ulet”, ka shkruar Rizvanolli, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu A ia pa Kosova sherrin subvencioneve për pajisjet efiçiente?

Ministrja u shpreh se në bazë të të dhënave empirike, përfituesit kanë ulur konsumin e energjisë elektrike për mesatarisht 19 për qind në dimrin pasues, dhe kanë kursyer 27 milionë kilovatorë, apo 5 milionë euro.

“Është e frikshme se si një dezinformatë që u nis si propagandë e dobët nga disa deputetë para disa muajsh, u riciklua nëpër studio televizive e në shtyp, me sa duket pa marrë mundin askush që së paku të analizojë kriteret e thirrjes apo të konsultojë ndonjë ekspert të fushës”, ka shkruar Rizvanolli./Telegrafi/

Exit mobile version