Site icon Telegrafi

Rikthehet Superliga e Maqedonisë, të gjitha ndeshjet luhen të dielën

Pas pauzës dy javore për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, fundjava rikthen Superligën e Maqedonisë së Veriut me ndeshjet e xhiros së 11-të në program, të cilat do të luhen të gjitha të dielën.

Në këtë xhiro do të kemi duel shqiptar, me Gostivarin që pret Voska Sportin në shtëpi, me të dyja skuadrat që kanë nga 10 pikë për momentin dhe renditen në pozitat e fundit të tabelës. Fitorja eventuale e njërës apo tjetrës skuadër, do ti ngrit më lartë në tabelë, gjithmonë nëse gabojnë skuadrat që janë para tyre si Makedonija Gjorçe Petrov, Bregallnica e Rabotniçki.

Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni, Struga Trim Lum do të jetë mysafire në kryeqytet, aty ku do të përballet me Makedonija Gjorçe Petrovin. Struganët e udhëhequr nga trajneri Shpëtim Duro do të kërkojnë të marrin maksimumin e pikëve nga ky duel për të vazhduar konkurimin me Shkupin dhe Shkëndijën në krye të tabelës.

Shkëndijën e pret një takim interesant, pasi në Tetovë takohet me Brera Strumicën. Kuqezinjtë si lider të kampionatit dhe pas dy fitoreve radhazi, dëshirojnë që nesër ta regjistrojnë fitoren e tretë për të vazhduar ecurinë pozitive në Superligë.

FC Shkupi në këtë xhiro do të jetë nikoqir i Bregallnicës, por ndeshjen nuk do ta luaj në Çair. Për shkak punimeve dhe riparimit të fushës, Shkupi ka zgjedhur stadiumin e Bashkimit në Kumanovë për të pritur Bregallnicën. Bardhekaltërit nuk njohin humbje në pesë ndeshjet e fundit dhe nesër kërkojnë fitoren edhe ndaj Bregallnicës.

Në dy ndeshjet tjera në program takohen, Rabotniçki me Vardarin dhe Sileksi me Tikveshin. Të gjitha ndeshjet e xhiros së 11-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut zhvillohen nesër, duke nisur nga ora 14:00. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
Exit mobile version