Me ndeshjen gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Drenicës, rifillon sërish futbolli.
Pas një pauze më të gjatë se dy muaj, klubet tona rikthehen sërish në fushën e lojës, ndërsa ndeshja e parë zhvillohet të martën (nesër) në stadiumin “Fadil Vokrrit” nga ora 18:00.
Prishtina dhe Drenica në këtë edicion janë takuar në dy ndeshje kampionale, 0:0 në Prishtinë dhe 3:1 fituan bardhekaltrit në “Bajram Aliu” të Skenderajt.
Prishtina dhe Drenica nga viti 2000 kur “kuqezinjtë” u inkuadruan në Superligë janë ndeshur plot 54 herë.
Bilanc pozitiv ka Prishtina me 27 fitore, 11 barazime dhe 16 fitore për drenicasit, ndërsa prishtinasit kanë goldallim më të mirë me +30, 80:50.
Prishtina në gjashtë ndeshjet e fundit përball Drenicës ka fituar pesë ndeshje.
Armend Thaqi: Duam finalen
Kapiteni i Prishtinës, Armend Thaqi, ka folur për ndeshjen dhe rikthimin pas bllokimit nga pandemia coronavirus.
“Po fillojmë sërish pas një pauze jo të dëshiruar nga të gjithë ne futbollistët, mirëpo u përballëm me pandemi globale duke shpresuar se tani më e kemi tejkaluar. I kthehemi ndeshjes së parë kundër një kundërshtari të vështirë siç është Drenica”.
“Tradicionalisht vuajmë kundër Drenicës, sepse kanë ekip të mirë dhe lojë të rrjedhshme tani e disa vite rresht. Mirëpo, ne nuk kemi rrugë tjetër, të hyjmë në ndeshje për ta mposhtur lojën e tyre dhe të arrijmë rezultat sa më pozitiv për ndeshjen e kthimit. Të gjithë e din synimin tonë që të arrijmë finalen me çka besoj se do t’i afroheshim shumë garave ndërkombëtare, pra nëse vije puna edhe nëpërmjet Kupës”, ka thënë kapiteni, Armend Thaqi. /Telegrafi/