Publikuesit e një reviste gjermane e cila zhvilloi një “intervistë” me Michael Schumacher të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, e kanë shkarkuar redaktorin dhe i kanë kërkuar falje familjes së legjendës të Formula 1.
Schumacher, shtatë herë kampioni i botës tani 54 vjeçar, nuk është parë në publik që prej se kishte pësuar një dëmtim serioz në tru në një aksident skijimi gjatë një pushimo me familjen në Alpet Franceze në dhjetorin e vitit 2013.
Familja e tij këtë javë tha se ata po planifikonin që të ndërmarrin veprime ligjore ndaj revistës javore Die Aktuelle, e e cila është nën pronësinë e grupit të mediave Funke, raporton Reuters, përcjell Telegrafi.
Funke vendosi që nëpërmjet një deklarate në ueb-sajtin e saj të kërkoj falje për këtë artikull.
“Ky artikull pa shije dhe mashtrues nuk duhet të ishte shfaqur kurrë. Artikulli në asnjë mënyrë nuk përmbush standardet e gazetarisë që ne – dhe lexuesit tanë – presim nga një botues si Funke”, tha drejtoresha menaxhuese e revistave Funke, Bianca Pohlmann.
Tutje ajo shtoj se si rezultat i publikimit të këtij shkrimi ndaj personelit do të ketë pasoja të menjëhershme .
“Kryeredaktorja e Die Aktuelle, Anne Hoffmann, e cila mban përgjegjësinë gazetareske për revistën që nga viti 2009, do të lirohet nga detyra që nga sot”, bëri të ditur Pohlman. /Telegrafi/