Site icon Telegrafi

Retorika pro-Kremlin e Vulinit, eurodeputetët miratojnë raportin ku ‘shqetësohen’ për emërimin e tij në krye të BIA-s

Aleksandar Vulin, drejtor i BIA

Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) në një raport të miratuar ka shprehur shqetësimin për emërimin e Aleksandar Vulinit në krye të Agjencisë serbe për Siguri dhe Informim (BIA).

Po ashtu, në këtë raport “dënohet” mosvendosja e sanksioneve nga ana e Serbisë kundrejt Rusisë, pas agresionit ushtarak në Ukrainë.

Serbisë i kujtohet se si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duhet t’u përmbahet parimeve dhe politikave evropiane.

“Koordinimi me regjimin autokratik [Rusia] është i papranueshëm dhe marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë janë të dënueshme”, thekson raporti i AFET-it.

Autori i raportit Vladimir Biliqik është shprehur se Serbia mbetet i vetmi vend që nuk është rreshtuar me politikën e jashtme të BE-së sa i përket sanksioneve.

“Ndikimi i Rusisë mbetet problem në Serbi – dhe raporti im përmend disa shembuj se kur dhe pse mbetet i tillë”, tha Bilqik pas miratimit të raportit.

Aleksandar Vulin gjatë takimit në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov

Retorika pro-Kremlin e Vulinit

Një paragraf i veçantë në raportin e miratuar i referohet emërimit të Vulinit në krye të BIA-s.

“Parlamenti Evropian është i shqetësuar për emërimin e drejtorit të Agjencisë për Siguri dhe Informim (BIA), i cili njihet për retorikën e tij kundër BE-së dhe pro-Kremlinit”, vijon raporti.

Po ashtu, dokumenti shpreh keqardhjen për faktin se “komponentët kryesorë të politikës së jashtme serbe janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me qëndrimet e BE-së”, dhe në këtë kuptim përmend nënshkrimin e marrëveshjeve që përcaktojnë prioritetet e përbashkëta të politikës së jashtme të Serbisë dhe Rusisë për periudhën 2023-2024, si dhe takime me zyrtarë të lartë nga Rusia që janë në listën e sanksioneve të BE-së.

Lexo po ashtu Opozitari rus Vladimir Kara-Murza dënohet me 25 vite burg – si ishte spiunuar në Beograd nga Aleksandar Vulini?

Shqetësimet për rënien e mbështetjes për anëtarësim në BE

Raporti i miratuar shpreh shqetësim edhe për uljen e mbështetjes publike për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Vlerësohet se ky është rezultat i retorikës politike të gjatë anti-BE dhe pro-ruse që “është shpërndarë gjerësisht përmes medieve të kontrolluara nga Qeveria, si dhe nga zyrtarët e Qeverisë dhe dështimi i madh i palës zyrtare për t’u përballur me të kaluarën e Serbisë”.

Eurodeputetët i kanë bërë thirrje BE-së të rishikojë shtrirjen e ndihmës financiare që i jep Serbisë nëse vazhdon të mbështesë regjimet anti-demokratike dhe i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të sigurojë që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me strategjinë, qëllimet dhe interesat e saj.

Për këtë raport votuan 43 përfaqësues të AFET, gjashtë ishin kundër dhe pesë abstenuan. /Telegrafi/

Exit mobile version