Dy gra nga Gjilani, të cilat janë edhe në lidhje familjare, tashmë partnere në biznes gëzojnë një raport të shkëlqyer dhe me pozitivitetin e tyre kanë vendosur ta ndajnë biznesin edhe me gra të tjera, duke u kujdesur për mikpritjen unike ndaj tyre.
Ato kanë themeluar një biznes, duke hapur një restorant me ambient dedikuar vetëm grave dhe vajzave në këtë komunë.
Lirie Berisha – Biçkaj dhe Qëndresa Ibraj – Berisha, janë dy gra që kanë hapur biznesin e tyre në Gjilan, i cili ofron shërbime nga më të ndryshmet.
Qëndresa dhe Liria rrëfejnë për Telegrafin rrugëtimin e tyre deri tek suksesi që e gëzojnë sot, duke treguar arsyen e hapjes së lokalit vetëm për gra, ato thonë se nuk është diskriminim për burrat, por ideja ishte për t’u krijuar grave dhe vajzave diçka që atyre t’iu duket si në shtëpi.
Liria thotë se ideja për hapjen e këtij lokali ka qenë e kunatës së saj, Qendresës për të sjellë diçka shumë më ndryshe jo vetëm në Gjilan, por në të gjithë rajonin.
“Ne gjithmonë kemi dashtë me kriju diçka, por qëllimi ka qenë për diçka që qyteti i Gjilanit nuk e ka, apo edhe i gjithë rajoni, sepse ka ndoshta lokale vetëm për gra, por jo restorante. Jo vetëm kaq, po edhe për mënyrën e shërbimit dhe gjithçka që ne ofrojmë”, ka thënë Liria për Telegrafin.
Mirëpo, sipas tyre ideja do të kishte mbetur vetëm në mendje po të mos ta kishin pasur edhe mbështetjen financiare nga njeriu më përkrahës i tyre.
Liria thotë se përkrahjen më të madhe e kanë pasur nga babai i saj dhe tashmë ai është shumë i kënaqur me punën dhe bashkëpunimin që kanë
“Përveç asaj morale, e kemi pasur edhe mbështetjen financiare, kështu që jemi falënderuese dhe si rezultat ne mundohemi me ia shpërbly me punë”, ka theksuar ajo.
Si lindi ideja për emrin e restorantit?
Liria tutje tregon se nga ka lindur ideja për emrin që mban restoranti.
“Gjithmonë e kemi menduar për mënyrën e shërbimeve, për mënyrën e orendive brenda dhe pasi qëllimi ka qenë të krijohet diçka vetëm për femra, atëherë është dashtë me qenë diçka e përbashkët. Kështu që emri NAN’at përkufizon më së miri gjininë femërore”, theksoi ajo.
“Na nana jemi vet, nanat i presim, vajzat e reja presin me u bë nana. Pra, kjo ka qenë ideja e emrit”, ka thënë ndër të tjera Liria.
Ndërsa, Qëndresa i përmend edhe reagimet e grave dhe vajzave në Gjilan, se si e kanë pritur ato hapjen e një lokali të tillë.
“Gratë e Gjilanit e kanë pritur shumë mirë. Ka qenë diçka e re për to dhe na kanë përgëzuar për punën që e bëjmë. Madje, ne kemi pasur kërkesa për ta hapur biznesin edhe në kryeqytet. Shpresojmë që në të ardhmen edhe atje do ta krijojmë një ambient si ky”.
“Në këtë ambient vetëm për gratë organizohen edhe ditëlindje, fejesa, martesa. Pra, gratë mund të oranizojnë të gjitha llojet e ahengjeve, duke iu ofruar shërbime të ndryshme”, ka thënë Qendresa.
Ndërsa, sa i përket orendive dhe enterierit, ato thanë se ka rrjedhur nga disa lokale që kanë parë në Turqi dhe Greqi.
“Disa nga enët dhe dekoret janë punë dore. Dekoret jashtë me simbolet e ‘msyshit’ janë vetëm dekore, nuk përfaqësojnë asgjë tjetër. Kemi pa shumë lokale në Turqi e Greqi që kanë të njëjtin enterier dhe e kemi menduar që po të njëjtin me e sjellë edhe ne. Edhe enët dhe për gjëra të tjera, furnizohemi prej Turqisë”, thanë ato.
Si përfundim, dy bashkëthemelueset e këtij biznesi nga Gjilani theksuan se do të jenë gjithmonë të hapura për gratë jo vetëm në Gjilan, por edhe me gjerë dhe se do të ofrojnë shërbime të ndryshme.
“Do të jemi gjithmonë të hapura dhe do të ofrojmë shërbime të ndryshme për to, duke u munduar që t’iu sjellim një atmosphere dhe ambient të ngrohtë”.
“Ne jemi në qendër të qytetit dhe kemi gjithçka afër, mjafton vetëm një mesazh dhe mëngjesi apo darka gjatë kohës është gati”, thanë ato një zëri. /Telegrafi/