Disa komuna të Kosovës janë përballur të mërkurën me vërshime për shkak të reshurave të shiut, ndërkaq fatmirësisht komuna e Gjilanit nuk ka pasur vërshime të mëdha dhe dëme.
Policia e Kosovës në këtë rajon thotë se nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga qytetarët për ndihmë.
“Nuk kemi pranuar asnjë kërkesë për intervenime të përbashkëta me zjarrfikësit për ndonjë rast si pasojë i reshjeve atmosferike. Nuk kemi pranuar thirrje as nga zjarrfikësit e as nga Njësiti për mbrojtje dhe shpëtim për intervenim në ndonjë rast”, ka thënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Ai për Telegrafin tha se rrugët në zonën e Gjilanit kanë qenë të kalueshme dhe nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për ngecje në qarkullim të trafikut.
Ndryshe, mbrëmë në media ka qarkulluar një video ku shihet se në një pjesë të Gjilanit ka pasur vërshime dhe si rrjedhojë ka bërë që qarkullimi i veturave ose qytetarëve në këmbë është vështirësuar.
Mirëpo, gjendja një ditë pas reshjeve të dendura të shiut në pjesën ku ka pasur vërshimeve është parë të jetë e qetë dhe se kalimi nëpër atë rrugë është tashmë krejtësisht e lehtë. /Telegrafi/