Sot gjatë orëve të mëngjesit disa nga qytetet e Kosovës janë zgjuar të mbuluara ngareshjet e borës.
Komuna e Rahovecit, është një nga komunat e cila sot është zbardhur nga reshjet e borës, të cilat pavarësisht që mund të kenë krijuar vështirësi në qarkullim, i kanë dhënë këtij qyteti një peisazh mjaft të bukur.
Por pavarësisht pamjes që ka krijuar, disa qytetarë të Rahovecit janë ankuar që rrugët në të cilat qarkullojnë makinat ende janë të papastrura duke paraqitur rrezik, për ata të cilët ende nuk janë pajisur me goma të dimrit.
Sa i përket rrezikut eventual që mund të ekzistojë në rrugë, Kapiten Albin Sahatqija, Komandant i Njesisë së Trafikut Rajonal të Policisë në Gjakovë, përmes Telegrafit bëri apel që të gjithë shoferët t’i respektojnë kushtet atmosferike të rrugës.
“Njësia Rajonale e Trafikut rrugor në drejtorinë e Policisë në Gjakovë, apelon për të gjithë shoferët që të jenë të vëmendshëm dhe të përgatitur gjatë sezonës dimërore, t’i respektojnë kushtet atmosferike e rrugës, t’i respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore, sepse vetëm bashkarisht mund të kontribuojmë në parandalimin e aksidenteve rrugore, duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik.”
Kapiten Sahatqija po ashtu potencoi se duke pasur parasysh kushtet atmosferike çdo shpfer duhet të jetë sa më i kujdesshëm.
“Duke marrë parasysh temperaturat e ulëta (ngricat, akulli i zi), mjegulla dhe reshjet atmosferike (reshjet e borës dhe të shiut), atëherë çdo drejtues i mjetit gjatë lëvizjes me automjet, duhet të jetë i kujdesshëm dhe t’u përshtatet kushteve të rrugës dhe reshjeve të ndryshme gjatë gjithë kohës së sezonit dimëror. Poashtu, mesazhi për gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor është që t’i shmangen vozitjes me automjete në relacione të shkurta.”, përfundoi kështu Kapiten Sahatqija. /Telegrafi/