Autoritetet e Republikës Serbe (RS) po përgatisin një propozim të ri për kushtetutën e këtij entiteti, i cili sjell ndryshime radikale në statusin politik dhe juridik. Nëse miratohet, ky dokument do të ndryshonte ndjeshëm marrëdhëniet brenda Bosnjë dhe Hercegovinës dhe do të hapte çështjen e shkeljes së Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
Një nga dispozitat kryesore në preambulën e propozimit të Kushtetutës së RS është pretendimi se entiteti ka vazhdimësi juridike me 9 janarin 1992, një datë që Gjykata Kushtetuese e BeH e ka shpallur antikushtetuese si Ditën e Republikës Serbe.
Përveç kësaj, preambula i referohet “vazhdimësisë historike të shtetësisë mesjetare” përmes dinastive Nemanjiq dhe Kotromaniq, duke u përpjekur të krijojë një narrativ të ri mbi origjinën e këtij entiteti.
Sovraniteti dhe e drejta për shkëputje
Propozimi i ri i kushtetutës së RS pohon qartë se Republika Serbe është një “subjekt kushtetues-juridik sovran, unik dhe i pandashëm”, gjë që bie drejtpërdrejt në kundërshtim me Kushtetutën e Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila e përcakton BeH si një shtet të njohur ndërkombëtarisht me dy entitete pa të drejtën e pavarësisë.
Veçanërisht shqetësuese është dispozita e nenit 9, e cila i jep RS të drejtën e “vetëvendosjes”, duke hapur praktikisht mundësinë për nisjen e një procesi shkëputjeje. Për më tepër, neni 5 parashikon që RS mund të tërhiqet nga marrëveshjet në nivelin e BeH, ndërsa neni 6 u mundëson institucioneve të RS të ndalojnë zbatimin e çdo akti të institucioneve të Bosnjë dhe Hercegovinës që, sipas vlerësimit të tyre, nuk është në përputhje me Kushtetutën e BeH, shkruan klix.ba.
“Republika Serbe mund të krijojë lidhje speciale paralele, të bashkohet në bashkësi shtetërore komplekse me strukturë federale ose konfederale me shtetet fqinje ose me grupe shtetesh të tjera”, thuhet në paragrafin e dytë të të njëjtit nen.
Në propozim thuhet gjithashtu se kryeqyteti i RS është Banja Lluka, ndërsa kryeqyteti historik është Sarajeva Lindore, me seli në Pale.
Futja e ushtrisë së RS dhe vendimmarrja e pavarur për aleancat
Një nga propozimet më serioze në kushtetutën e re është formimi i Ushtrisë së Republikës Serbe. Sipas nenit 116, RS do të kishte ushtrinë e saj, ndërsa neni 115 parashikon mundësinë e shpalljes së neutralitetit ushtarak ose hyrjen në aleanca ushtarake me shtete të tjera. Këto dispozita shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e BeH, sipas të cilave Forcat e Armatosura të BeH janë e vetmja forcë e ligjshme ushtarake në vend.
Kushtetuta e propozuar përmban gjithashtu dispozita që parashikojnë se RS “menaxhon dhe disponon në mënyrë të pavarur pasurinë e saj”, duke kundërshtuar një sërë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese të BeH, e cila ka përcaktuar disa herë se pasuria shtetërore i përket Bosnjë dhe Hercegovinës, jo entiteteve. Ky përpjekje e RS për të marrë në kontroll pasurinë shtetërore është vazhdim i përpjekjeve të saj afatgjata për të forcuar autonominë e entitetit në kurriz të institucioneve shtetërore.
Sistemi zgjedhor dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë
Një tjetër dispozitë e diskutueshme gjendet në nenin 77, ku thuhet se RS vendos në mënyrë të pavarur për zgjedhjen dhe emërimin e delegatëve në Dhomën e Popujve të Asamblesë Parlamentare të BeH. Për më tepër, sipas nenit 89, presidenti i RS propozon ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë nga Republika Serbe, gjë që bie ndesh me sistemin ekzistues të emërimit të ambasadorëve në nivel shtetëror.
Kushtetuta e propozuar e Republikës Serbe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnjë dhe Hercegovinës. Dispozitat mbi sovranitetin, mundësinë e shkëputjes, formimin e ushtrisë dhe marrjen e pasurisë shtetërore janë në kundërshtim të plotë me marrëveshjet ndërkombëtare dhe rendin juridik të BeH.
Ky propozim kushtetues nuk mund të jetë i vlefshëm ligjërisht, pasi entitetet nuk kanë të drejtë të bëjnë ndryshime kushtetuese të njëanshme që do të cenonin rendin kushtetues të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Miratimi i tij mund të çojë në një krizë serioze politike dhe të sigurisë, duke rrezikuar më tej stabilitetin e vendit dhe rajonit. Duke marrë parasysh të gjitha këto, është e qartë se ky propozim nuk është një hap drejt forcimit të autonomisë së entitetit brenda sistemit të Dejtonit, por një përpjekje për të krijuar baza për shkëputje dhe destabilizim juridik të shtetit. /Telegrafi/