Xhafer Deva ishte një ndër personalitetet kryesore në Mitrovicë dhe më gjerë, në periudhën gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore.
Ndërsa, gjatë Luftës së Dytë Botërore në kohën e pushtimit nazi-fashist, Deva ka pasur funksione të larta shtetërore, përfshirë postin e ministrit të Punëve të Brendshme.
Para kësaj periudhe, ai njihej si një inxhiner, ndërmarrës dhe tregtar i njohur në Mitrovicë, shkruan Telegrafi.
Trashëgimia e vetme që ka mbetur nga Xhafer Deva është shtëpia e tij, e cila është ndërtuar në vitin 1936.
Historiani, Enis Kelmendi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se shtëpia e Devës ishte ndërtuar nga arkitektët austriak.
Pas Luftës së Dytë Botërore kjo shtëpi ishte konfiskuar dhe ishte përdorur si qendër mjekësore.
“Prej vitit 1936, kjo shtëpi është një ndër simbolet e qytetit. Pas Luftës së Dytë Botërore, pas konfiskimit si pasuri e Xhafer Devës kjo shtëpi u përdor si qendër mjekësore. Tashmë pas renovimit që i është bërë nga ana e shtetit do të merr funksione tjera që do t’i shërbejnë kulturës dhe artit në Mitrovicë”, ka thënë Kelmendi.
Gjatë vitit të kaluar, shtëpia e Xhafer Devës është renovuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Lidhur me renovimin, historiani është shprehur se kanë vërejtje për rikonstruimin e shtëpisë dhe sipas tij, ky objekt do të kishte merituar që të rikonstruohej më profesionalisht.
“Ne kemi disa vërejtje për mos-konstruimin e saj si duhet. Për këtë arsye ne kemi dhënë vërejtjet e caktuara. Shtëpia e Xhafer Devës do të kishte merituar dhe do të ishte më mirë të rikonstruohej më profesionalisht dhe të mos bëheshin gabimet që janë bërë. Shpresojmë që në objektet tjera të mos bëhen gabimet e njëjta”, është shprehur ai.
Kelmendi ka shtuar se përdorimi i fasadës industriale në renovimin e kësaj shtëpie ishte vendim i gabuar, derisa ka theksuar se kanë vërejtje për kulmin dhe dritaret, transmeton Telegrafi.
“Përdorimi i fasadës industriale është gabim, megjithatë në pjesë të ndryshme është munduar të imitohej versioni origjinal i shtëpisë. Kemi vërejtje në kulmin e saj, në dritare, rreth dritareve dhe plastikave. Fasada është një huqje sa i përket origjinalitetit të objektit”, ka theksuar tutje historiani.
Mes të tjerash, ai ka treguar se vërejtjet i kanë dhënë përmes opinionit publik dhe mediave, duke potencuar se qëllimi i tyre është të mos bëhen prapë rikonstruime të tilla.
Tutje, ai ka vijuar se firmat që merren me rikonstruime të objekteve të trashëgimisë nuk duhet të jenë “firma të ndërtimit”, por të përbëhen nga ekipe profesionale për këtë çështje.
“Qëllimi është që mesazhi të i’u dërgohej personave përgjegjës për këtë punë sepse nuk duhet të bëhen rikonstruime sa për t’u bërë. Duhet të kenë më shumë parasysh ndjesinë e popullit dhe anën profesionale. Firmat që merren me rikonstruime të objekteve të trashëgimisë të jenë më profesionale, jo vetëm të jenë firma të ndërtimit por të jenë profesionale dhe të ndërtohen ekipe profesionale për rikonstruim”, ka përfunduar historiani, Enis Kelmendi. /Telegrafi/