Punimet në renovimin e Repartit të Pulmologjisë kanë hyrë në fazën përfundimtare, ka njoftuar Spitali i përgjithshëm i Prizrenit.
Në njoftim thuhet se ky investim po realizohet për të mundësuar ambient më të mirë për pacientët dhe personelin, që ndikon edhe në ofrimin e shërbimeve më cilësore mjekësore, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është bërë e ditur se menaxhmenti i Spitalit ka vizituar këtë Repart, për të parë ecurinë e punimeve, me c’rast kanë diskutuar edhe mbi detajet e përfundimit të projektit.
Drejtoresha Ekzekutive e Spitalit të Prizrenit, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka theksuar nevojën që punimet të përfundojnë brenda afatit, dhe që çdo fazë e punimeve të realizohet me cilësi të lartë.
“Si menaxhment, ne jemi të përkushtuar të investojmë në përmirësimin e infrastrukturës, me qëllim përmirësimin e kushteve të punës për stafin dhe krijimin e një ambienti më të mirë për pacientët. Investimet në infrastrukturë janë të rëndësishme dhe kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe kënaqësinë e pacientëve”, ka thënë ajo, raporton Telegrafi.
Ndërsa shefja e Repartit, Sevim Brina, ka theksuar rëndësinë e renovimit për ofrimin e shërbimeve cilësore për pacientë.
Punimet për renovimin e Repartit të Pulmologjisë, sipas njoftimit të Spitalit të Prizrenit, pritet të përfundojnë gjatë muajit mars. /Telegrafi/