Telegrafi

Rëndësia e shëndetit oral gjatë shtatzënisë

Dr. Agron Shabani
Stomatolog

Pa marrë parasysh faktin se është fjala për një gjendje fiziologjike ekzistojnë ndryshime qenësore: fizike, fiziologjike, emocionale dhe metabolike. Sa i përket hapësirës së gojës në periudhën e shtatzënisë gjithashtu ndodhin ndryshime si edhe në pjesët e tjera të organizmit. Këto ndryshime kërkojnë një trajtim të veçantë dhe nuk duhet të lihen pas dore, siç edhe ndodh në një pjesë të konsiderueshme të femrave shtatzënë.

Ndryshimet orale gjatë shtatzënisë!
Gjatë shtatzënisë ndodhin ndryshime të mëdha në gojë duke nisur nga skuqja, ënjtja dhe gjakosja nga mishrat e dhëmbëve. Deri te kjo gjendje vjen sepse në trupin e një femre shtatzënë ndodhin ndryshime të mëdha hormonale. Niveli i rritur i hormonit progesteron, i bën më të ndjeshëm mishrat e dhëmbëve ndaj pllakut bakterial. Poashtu gjatë shtatzënisë është vërejtur një rritje e frekuencës së kariesit tek femrat shtatzëna. Shpesh për këto ndryshime është fajësuar shtatzënia, si proces në të cilin këto ndryshime janë të zakonshme! Por, hipoteza se gjatë shtatzënisë rritet frekuenca e kariesit apo edhe çdo ndryshim tjetër në gojë është i gabueshëm.

Kariesi me një prevalencë të njëjtë paraqitet edhe gjatë shtatzënisë, por meqenëse femra i kushton më shumë kohë shtatzënisë dhe frytit, hapësira e gojës bashkë me dhëmbët lihet pas dore, dhe si pasojë, kemi më shumë karies të kombinuar me inflamim të gingivës (gingivitis gravidum). Këto ndryshime vijnë edhe si pasojë e rritjes se Ph-acidike në gojë, kserostomisë së rritur për shkak të ndryshimeve hormonale, çrregullimit të dietës dhe në veçanti, lënies pas dore të higjienës orale gjatë kësaj periudhe. Granuloma e shtatzënisë (granuloma piogjene ose tumoret e shtatzënisë) është një rritje në mishrat e dhëmbëve që ndodh nga 2%-10% të femrave shtatzëna. Ata nuk janë në të vërtetë tumor dhe nuk janë kanceroze. Nuk janë të rrezikshëm, edhe pse ata mund të shkaktojnë parehati.

Trajtimi i inflamamimit të gingivës, largimi i gurëzve dhe zbardhimi i dhëmbëve
Është shumë me rëndësi që çdo inflamim i mishit të dhëmbëve gjatë shtatzënisë të trajtohet dhe gingiva të kthehet në gjendje të shëndetshme. Kjo është shumë me rëndësi për të parandaluar që inflamimi të mos progredojë, sepse mund të kalojë dhe të përfshijë edhe kockën. Një tjetër rëndësi e shërimit të gingivës është që përveçse inflamimi ndikon tek nëna, ai mund të stimulojë lindje të parakohshme si dhe të ndikojë tek pesha e foshnjës. Gjatë shtatzënisë, poashtu mund të bëhet edhe largimi i gurëzve nga dhëmbët, të cilët ndikojnë në mirëqenien e shëndetit oral. Nga ana tjetër zbardhimi i dhëmbëve nuk rekomandohet gjatë shtatzënisë, e poashtu edhe gjatë kohës së gjidhënies. Zbardhimi I dhëmbëve duhet të shtyhet pas kësaj periudhe.

Rregullimi, nxjerrja dhe fotografimi i dhëmbëve gjatë shtatzënisë
Restaurimi i dhëmbëve gjatë shtatzënisë mund të realizohet. Disa autorë mendojnë se duhet shmangur restaurimin e dhëmbëve në tremujorin e parë të shtatzënisë, për shkak se deri në muajin 3-të, bëhet inserimi i fetusit në placentë, për të mos riskuar në diseminimin e baktereve, ndërsa pas kësaj periudhe, dhëmbët mund të rregullohen. Por, këto konkludime janë më shumë pjesë e botëkuptimeve të kaluara tashmë. Shumica e autorëve udhëzojnë rregullimin e dhëmbëve gjatë tërë shtatzënisë, pa marrë parasysh periudhën me kusht që kemi të bëjmë me një shtatzëni normale, gjithmonë duke u bazuar në një punë të saktë aseptike gjatë rregullimit të dhëmbit.

Është e preferuar që dhëmbët të rregullohen para lindjes, në mënyrë që të minimizohen ndërhyrjet ose eventualisht të kalohet e tërë shtatzënia pa ndërhyrje, nëse kjo është e mundur. Në lidhje me materialin për mbushje të dhëmbëve, sot shumica e vendeve të Evropës nuk e përdorin amalgamin (mbushjen e zezë) tek gratë shtatzëna, për shkak të dyshimit mbi toksicitetin e merkurit-zhivës, i cili është përbërës i tij. Sot, preferohet që te gratë shtatzëna të aplikohen mbushjet e kompozitit.

Sa i përket heqjes së dhëmbëve, edhe këtu ka autorë që mendojnë se duhet shmangur nxjerrjet e dhëmbit në tremujorin e parë, ndërsa pas kësaj periudhe, pa problem mund të bëhet nxjerrja e dhëmbit. Mirëpo, të gjitha këto konstatime nuk bazohen në studime ekzakte. Pjesa dërmuese e stomatologëve e aplikojnë nxjerrjen e dhëmbit gjatë tërë shtatzënisë, me kusht që edhe këtu që kemi të bëjmë me një shtatzëni normale dhe puna të bëhet me masat e duhura aseptike. Poashtu, rëndësi të veçantë ka edhe psikoterapia që stomatologu duhet ta aplikojë tek femrat shtatzëna për të larguar stresin. Përjashtim nga kjo bëjnë vetëm rastet me shtatzëni patologjike ku nevojitet bashkëpunimi stomatolog-gjinekolog si dhe ato raste me trombozë të enëve të gjakut.

Gjatë shtatzënisë, nuk është i preferuar rëntgeni për fotografimin e dhëmbëve, sidomos në javët e para, për arsye të riskut për abort dhe risqeve të tjera të njohura. Është mirë që aplikimi i rëntgenit të shmanget, përveç rasteve kur patjetër nevojitet filmi i rëntgenit, ai duhet të bëhet me të gjitha masat mbrojtëse për nënën dhe për frytin e cila arrihet me anë të mbrojtësve të plumbit. Nëse filmi i rëntgenit është nevojshëm, fotografimi është i preferuar të bëhet me teknikën e rëntgenit dixhital për arsye se këto rreze janë rreth 80% më të vogla se ato të aparateve klasike të rëntgeneve.

Anestezioni dhe medikamentet
Anestezioni dhe medikamentet që përdoren gjatë tretmanit stomatologjik në periudhën e shtatzënisë, gjithashtu mund të paraqesin një risk të veçantë. Anestezioni nuk paraqet një kundërindikacion për përdorim tek shtatzënia, përveç anestetiku i cili përmbanë Felipresin si vazokonstriktor është i kundraindikuar. Felipresina është derivat i Vazopresinës sikurse edhe Oksitocina, që mund të shkaktojë kontraksion të muskujve të lëmuar të uterusit. Anestetikët që përmbajnë substanca vazokonstriktore të tjera mund te përdoren. Kur është në pyetje shtatzënia, është me rëndësi edhe përdorimi i medikamente, veçmas ato të cilët e kalojnë barrierën placentare.

Antibiotiket të cilët janë të kundërindikuar janë ato të grupit të Aminoglikozideve (Gentamicina, Streptomicina). Këta antibiotikë, akuzohen për disa efekte anësore, në lidhje me ototoksicitetin (dëmtimin e nervit të dëgjimit) dhe nefrotoksicitetin që ato mund të shfaqin tek fryti. Tetraciklina poashtu është e kundërindikuar tek shtatzënia, ajo shkakton dëmtim të mëlçisë, kockave, thonjve dhe ngjyrosje të dhëmbëve tek foshnjat. Analgjetikët e grupit NSAIDs (Aspirina, Ibuprofeni, Nimesulid etj.) të cilët përdorën për të ndalur dhembjet e dhëmbëve, është e preferuar që të shmangen gjatë shtatzënisë, dhe ato nuk guxojnë të merren në tremujorin e fundit të shtatëzanisë. Paracetamoli, i cili nuk i takon këtij grupi, është konsideruar si një zgjedhje më e sigurt se ajo e grupit të mëherëshëm, por nuk është mirë të merret më shumë se 2-3 herë në javë. Si përfundim sa ju përket medikamenteve, ato gjithmonë duhet të merren në konsultim me mjekun apo farmacistin.

Përfundimi
Kujdesi i rregullt dentar është një komponentë kyçe për një shëndet të mirë oral, por edhe të përgjithshëm. Përkundër mungesës së dëshmive se kujdesi shëndetësor oral para lindjes përmirëson rezultatet gjatë shtatzënisë, prova të mjaftueshme tregojnë se kujdesi shëndetësor oral gjatë shtatzënisë, është i sigurt dhe duhet të rekomandohet për të përmirësuar shëndetin oral dhe të përgjithshëm të femrës.

Shëndeti oral i përmirësuar i femrës mund të ul transmetimin e baktereve potencialisht kariogjenike për foshnjat dhe redukton rrezikun e ardhshëm të kariesit tek fëmijët. Për shumë femra, të cilat bëjnë vizita të shpeshta tek gjinekologët, kjo krijon një mundësi unike për gjinekologët, për të edukuar femrat gjatë gjithë jetës së tyre, duke përfshirë edhe periudhën e shtatzënisë, mbi rëndësinë e kujdesit dentar dhe higjienës së mirë orale. Nga ana tjetër femrat shtatzëna duhet të bëjnë dy vizita stomatologjike në periudhën e parë dhe të dytë të shtatzënisë, për të vëzhguar gjendjen e kavitetit oral dhe të dhëmbëve. Në këtë drejtim, bashkëpunimi i gjinekologut me mjekun stomatolog duhet të jetë më i ngushtë dhe i vazhdueshëm.

E një rëndësie të veçantë është që të largohen disa mendime të prapambetura që femrat gjatë shtatzënisë vendosin të mos vizitojnë stomatologun me arsyetimin se ndërhyrjet terapeutike stomatologjike mund të dëmtojnë frytin. Kjo praktikë e lënies pas dore të shëndetit oral me dashje apo jo, nuk është e preferuar as për nënën e as për frytin, sepse çdo ndërhyrje duhet të bëhet në kohë, në mënyrë që shëndeti oral të përmirësohet dhe të largohen të gjitha gjendjet të cilat shkaktojnë situata jo të rehatshme dhe stresuese. /Telegrafi/

Referencat:
“Pregnancy and Oral Health”-Sheila Wolf April, 2004
“Anestezia lokale dhe teknika e heqjes së dhëmbëve” Dh. Pojani, I. Kasapi-Tiranë 1975 “Kariesi në gravidancë”-Dibra I.-Tiranë 1974
“Dental Considerations During Pregnancy – V.T. Hemalatha dhe N. Mani Sundar 2012
“Sëmundjet e dhëmbit” – Veton Hoxha 1999