Telegrafi

Renault afër që të sigurojë shërbimet e Nico Hulkenberg

Renault kërkon të bëjë ndryshime për Botërorin e Formula 1 të vitit 2017. Skuderia franceze po mendon që të ketë në radhët e veta vitin e ardhshëm pilotin gjerman të Force Indias, Nico Hulkenberg.

Sipas asaj që publikohet te Autosport, bisedimet kanë nisur dhe shpresohet që shumë shpejt të nënshkruhet kontrata mes tyre që do të jetë dyvjeçare me opsion për rinovimin e saj edhe për një vit të tretë.

Hulkenberg në të vërtetë ka një kontratë me Force Indian edhe për vitin 2017, por në të duket se ekziston një klauzolë që e lejon atë të largohet, ndërsa siç transmeton TCH, ai mezi e pret largimin.

Mësohet se Renault më parë kishte bërë një tentativë për spanjollin Carlos Sainz Jr, por drejtuesit e Red Bull refuzuan ofertën e francezëve pasi nuk dëshironin që të privoheshin prej tij duke deklaruar se Sainz ka një kontratë afatgjatë me Toro Rosson.

Kjo detyroi Renault të hedhë sytë te Hulkenberg që konsiderohet si një pilot me eksperiencë. Ai ka debutuar në Formula 1 në vitin 2010 dhe ka marrë pjesë në 111 gara. Qe katër vite është pjesë e Force Indias, ndërkohë që në vitin 2013 ai garoi për Sauber.