Site icon Telegrafi

Renada Caci (Luzja): Jam më e sinqertë seç duhet

Intervistoi: Rea Hyseni

Shumë është përfolur nëpër gazeta për lidhjen e saj më një djalë disa vite më të ri se ajo, por se cila është Renada Caci në të vërtetë ju ftojmë të lexoni intervistën që kemi realizuar më të.

Si arritët të bëheni pjesë e grupit të Portokalli?
Si çdo aktor i ri që vjen dhe bën audicione, edhe unë bëra të njëjtën gjë. Pasi prezantova punën time, u bëra pjesë e aktorëve të Portokallisë. Edhe sot e kësaj dite jam shumë e lumtur që jam pjesë e kësaj trupe dhe për këtë falënderoj regjisorin e këtij spektakli z.Altin Basha, gjithë kolegët e mi për mbështetjen, kostumografen e spektaklit që herë pas here kujdeset për aparencën time të jashtme për sa i përket personazheve, duke i transformuar ato plotësisht.

Na tregoni diçka për fillimet tuaja në fushën e artit?
Kur kam qenë e vogël ëndrra ime ka qenë gjithmonë të bëhesha një këngëtare e madhe, mirëpo kot nuk thonë, ndonjëherë që çdo gjë është me fat. Shkoja te Pallati i Pionierëve kur isha fare e vogël, 7-8 vjeç, dhe bëja mësim për kanto. Mbaj mend gjithmonë një regjisor, i cili më thoshte "ti kot e ke, do bëhesh aktore e madhe, sepse tek ty unë shikoj një talent shumë të madh për sa i përket botës së aktrimit" dhe vërtet kështu ndodhi. Duke e ditur që bota e artit është shumë e egër, më shumë këtë e vura re pikërisht në fushën e këngës, ku pasioni ishte i shumtë nga ana ime, por jo çdo gjë varej nga unë. Nejse, kënga do mbetet pasioni im i dytë që do ta ushtroj shumë shpejt.

Nga jeni me origjinë?
Jam lindur e rritur në Tiranë me një damar korçar.

Si është marrëdhënia juaj me familjen?
Marrëdhënia më e bukur dhe më e sinqertë, kam një mama të mrekullueshme që të gjithë do kishin zili ta kishin, nuk e kam mama, por më shumë shoqe që kujdeset për çdo gjë dhe flasim për shumë gjëra me njëra-tjetrën.

Që nga rënia juaj e theksuar në peshë, keni qenë në formë të shkëlqyer. Si po i ruani linjat tani?
Nuk po ruaj tashmë asnjë linjë, forma ime trupore deshi dhe erdhi falë Anila Kalleshit dhe vullnetit tim. Ndihem shumë mirë që kam arritur deri këtu.

Që kur është bërë e njohur lidhja juaj me Klintonin, keni qenë shpesh pjesë e thashethemeve nëpër gazeta … Cili ka qenë thashethemi që ju ka mërzitur më shumë?
Unë jam Renada Caci, aktore pjesë e trupës së Portokallisë dhe shumica më njohin me emrin Luze. Jam shumë krenare për këtë fakt, por dua të theksoj diçka, që vërtet kam një emër dhe një imazh artistik, por kjo s’do të thotë që ai të përdoret sipas qejfit nëpër gazeta, lajme, gossip etj., dhe ky ka qenë fakti që më ka shqetësuar më shumë.

Si jeni njohur ju të dy dhe sa kohë u bëtë bashkë?
Kemi një vit bashkë dhe më duket sikur kam vetëm një muaj, përpos paragjykimeve që dëgjoj poshtë e lart, dua që koha dhe marrëdhënia me Klintonin të mos ndalojë kurrë.

Me aq sa dimë, në Shqipëri ti je e vetmja artiste që "e ka bërë si Madonna dhe Demi Moore". Si është të jesh e lidhur me një djalë disa vjet më të ri?
Nuk di të jap përgjigje për këtë pyetje, sepse unë nuk e ndjej fare diferencën e moshës, ndihem e lumtur me Klintonin.

A ke ndjerë ndonjëherë paragjykime për lidhjen tënde?
Edhe nëqoftëse kam dëgjuar që përflitemi lart e poshtë, kam vënë kufjet dhe kam dëgjuar muzikë.

Çfarë të ka tërhequr në fillim tek Klintoni? Po tani?
Mu duk shumë tip i hapur dhe njeri i çiltër dhe pamja e tij fizike më tërhoqi shumë. Tani di të them vetëm kaq, që as vetë nuk e di çfarë më tërheq çdo ditë e më shumë tek ai mashkull, por di të them vetëm kaq: unë mendoj se kur nuk mund t’i japësh përgjigje pyetjeve, pse rri? për çfarë? dhe si? atëherë kjo do të thotë që ke rënë në dashuri.

Shpesh ndodh që aktorët i personifikojnë me personazhet që luajnë. Edhe ty akoma vazhdojnë të të njohin si Luzja dhe të të mendojnë si ajo, por realisht çfarë tipi jeni në jetën e përditshme?
Nuk e di sa e njeh Luzen si tipologji, por di të them që ajo është njeri shumë i drejtpërdrejtë, që t’i thotë gjërat troç drejt e në sy, dhe kjo bën që të jetë dhe afër karakterit tim si Renadë, dhe një nga arsyet pse unë kam qenë e suksesshme me këtë personazh ka qenë pikërisht kjo.

Po me të dashurin ziheni ndonjëherë? Për çfarë?
Po zihemi në fakt, për vogëlsira, por aty ku zihen, aty duhen më shumë.

Pendohesh për zgjedhjet e tua, apo s’e kthen kurrë kokën pas?
Nuk e di çfarë do të thotë të kthesh kokën pas, sepse s’e kam bërë kurrë deri më sot.

Mund ta përkufizosh veten me tre fjalë?
Nevrike, e drejtpërdrejtë, dhe më e sinqertë seç duhet.

Kush ta ka vënë emrin?
Mamushi im që e dua shumë.

Si e sheh veten pas shumë vitesh?
E di që lumturia nuk ekziston, por që besoj se tek unë ka ardhur, uroj që dhe në të ardhmen të më shoqërojë, ndjehem shumë mirë me gjithçka që kam. Vetëm pak më shumë lek (hahahah).

Çfarë kujton me nostalgji nga fëmijëria jote?
Protagoniste në fëmijërinë time ka qenë dhe do mbetet gjithmonë gjyshja ime, e cila më ka rritur dhe falë saj unë sot gëzoj një super nostalgji për fëmijërinë time që e kujtoj shumë shpesh, sidomos kur dëgjoj këngë të vjetra, gjë që e bëja shpesh kur isha e vogël. Më ka marrë shumë malli të dëgjoj edhe njëherë përrallat e gjyshes time dhe ditët e bukura që kam kaluar bashkë me të.

Çfarë nuk duron dot?
Tradhtinë dhe intrigën, që kjo e fundit është bërë si virus i gripit të derrit kohët e fundit.

Xheloze?
Shumë, madje.

Cili është mendimi yt i fundit para se të të zërë gjumi?
Puna, të gëzoj një shëndet të plotë bashkë me familjen time dhe me njeriun tim të zemrës Klintonin. /Telegrafi/
 

Exit mobile version