Site icon Telegrafi

Rekordet e Lionel Messit

Rekordi i mëparshëm qëndronte nga viti 1955 (251 gola), ndërsa ky që do ta vë argjentinasi (duke vazhduar me golat në të ardhmen), mund të mos thyhet kurrë.

Thuajse secilën herë që luan, 27-vjeçari prek një rekord të ri dhe padyshim se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Ndërkaq, Telegrafi ju sjell disa prej rekordeve të shumta që ka vënë deri më tani dhe ato që është në prag për t’i thyer:

– Ai mban rekordin për më shumë het-trikë në Ligën e Kampionëve – katër (ndaj Arsenalit, Viktoria Plzen, Bayer Leverkusen dhe Ajax).

– Messi është futbollisti i vetëm në histori që ka fituar katër Topa të Artë. Johan Cruyff, Michel Platini e Marco van Basten, i kanë fituar nga tre.

– Po ashtu, ai është i vetmi lojtar që ka qenë katër herë golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve.

– Së bashku me Pedron, Messi ka shënuar gola në gjashtë gara të ndryshme brenda një viti (La Liga, Kupën e Mbretit, Ligën e Kampionëve, Superkupën e UEFA-s, Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Botës për Klube).

– 27-vjeçari ka qenë shtatë herë radhazi në listën prej tre lojtarëve finalë konkurrues për Topin e Artë (2007-2013) më shumë se kushdo tjetër.

– Në vitin 2012, ai barazoi rekordin e Gabriel Batistutas (1998) me 12 gola të shënuar brenda një viti kalendarik për Argjentinën.

– Në sezonin 2011/2012 ai barazoi rekordin e Jose Altafinit për më shumë gola brenda një sezoni të Ligës së Kampionëve (14 gola), mirëpo në sezonin e kaluar këtë rekord e theu Cristiano Ronaldo (me 17 gola).

– Messi ka shënuar në 21 qytete të ndryshme në Ligën e Kampionëve, më shumë se kushdo tjetër.

– Argjentinasi është golashënuesi më i mirë në ‘el Clasico’ me 21 gola të shënuar. Këtë vit, theu rekordin e Alfredo Di Stefanos (me 18 gola).

– Messi (21) është vetëm një trofe prapa Xavit (22) te Barcelona. Rekordi mbahet nga Paco Gento i Real Madridit me 23 trofe, ndërsa Leo është në rrugë për ta thyer edhe këtë rekord.

– Së bashku me Cristiano Ronaldon dhe Vivian Woodward, ai ndan rekordin për më së shumti gola ndërkombëtarë brenda një viti kalendarik (25).

– Lionel ka shënuar 27 het-trikë për Barcelonën, një më shumë se Cristiano (26) për Madridin. Ai ka shënuar edhe tre het-trikë për Argjentinën.

– Argjentinasi është lojtari i vetëm në futbollin spanjoll që ka shënuar 40 e më shumë gola në pesë sezone radhazi (në të gjitha garat). Në sezonin 2009/2010, ai shënoi 47 gola, ndërsa në katër sezonet pasuese: 53, 73, 60 dhe 41 gola.

– Messi ka shënuar 45 gola për Argjentinën dhe mund ta arrijë rekordin kombëtar me Batistutan, i cili ka shënuar 56 gola. Në vitin 2013, ai theu rekordin e Diego Maradonas (34 gola).

– Në sezonin 2011/2012 vuri rekord të ri në La Liga me 50 gola duke thyer rekordin e Cristiano Ronaldos nga sezoni paraprak (40 gola). Portugezi kishte thyer rekordin që mbahej nga Telmo Zarra dhe Hugo Sanchez (me nga 38 gola).

– Leo Messi ka barazuar rekordin me Raul, si golashënuesi më i mirë në histori të Ligës së Kampionëve me 71 gola. Në konkurrencë është edhe Ronaldo, i cili ka shënuar 70 gola.

– Në edicionin 2011/2012 ai theu edhe rekordin e Gerd Muller (67 gola) nga sezoni 1972/1973 për më shumë gola brenda një sezoni evropian. Leo shënoi 73 gola në të gjitha garat.

– SuperLeo mban edhe rekordin për më shumë gola brenda një viti kalendarik (91) nga viti 2012, kur theu rekordin tjetër të Muller (me 85 gola), i cili qëndronte nga viti 1972.

– Me 101 asistimet që ka bërë në La Liga, argjentinasi është vetëm gjashtë prapa Luis Figos (107) në karrierën e tij me Barcelonën dhe Real Madridin.

– Messi është lojtari i vetëm në histori të Barcelonës që ka shënuar mbi 100 gola kampionalë në Camp Nou (ai i ka shënuar plot 147 gola para tifozëve katalunas).

– Lionel është lojtari i vetëm në histori të Barcelonës që ka shënuar mbi 200 gola në Camp Nou në të gjitha garat (203 gola).

– Superylli i Barcelonës tashmë është golashënuesi më i mirë në histori të La Ligas (253 gola), pasi të shtunën mbrëma theu rekordin e Telmo Zarras (251 gola) që qëndronte nga viti 1955.

– Ai ka shënuar në total 368 gola për Barcelonën në ndeshjet zyrtare dhe është larg Cesar Rodriguez (me 232 gola). Po ashtu, ai mban rekordin edhe ndaj lojtarëve tjerë për golat që kanë shënuar me një klub. Telmo Zarra ka realizuar 335 gola me Athletic Bilbaon, derisa Raul ka shënuar 323 gola me Real Madridin. /Telegrafi/

Exit mobile version