Pjesëmarrja e qytetarëve të Komunës së Gjakovës në proceset e vendimmarrjes po vazhdon të shënojë rritje, kjo pasi që në kuadër të programit “Kontrata Sociale” , program ky i implementuar nga USAID, qytetarët e kësaj komune nga 9 projekte që ishin miratuar në takimin e parë, për të përmirësuar jetën e atyre që jetojnë në këtë komunë, përmes votave të tyre kanë arritur që si projekt fitues të zgjedhet projekti “Rehabilitimi i terreneve sportive prapa shkollave të mesme në Gjakovë”.
“Kontrata Sociale” është një projekt që i ka paraprirë “Buxhetimit me pjesëmarrje” proces i cili është realizuar me shumë sukses nga komuna e Gjakovës në vitin 2024.
Ndërsa, theksojmë që projekti i miratuar nga qytetarët në kuadër të këtij programi pritet të realizohet gjatë vitit 2025, dhe kap vlerën e 24 mijë eurove.
Nga Komuna e Gjakovës bëjnë të ditur që Buxhetimi me Pjesëmarrje tashmë do të jetë një praktikë e përvitshme, që do të ndihmojë në përmirësimin e jetës për qytetarët e kësaj komune.
Po ashtu kujtojmë që tashmë 3 projekte me vlere të investimeve nga 50 mijë Euro janë përzgjedhur nga vetë qytetarët në 3 lokacione, Rogovë, Korenicë dhe Bllokun e Ri në Korrik 2024. /Telegrafi/