Ka një dekadë që merret me kinematografi dhe pas vetës ka disa çmime, përfshirë edhe çmime ndërkombëtare. Për të filmi është fuqi, të cilën shteti i Kosovë duhet ta shfrytëzojë për imazh në botë
Ky është regjisori Korab Lecaj, i cili dy muajt e fundit ka fituar tre çmime me filmin e shkurtër artistik “Klithma”, përfshirë këtu çmimin kryesor “BEST SHORT FILM” në West Nordic International Film Festival në Norvegji.
Regjisori Lecaj thotë se ky çmim i ka dhënë dimension tjetër sukseseve të filmit “Klithma” në arenën ndërkombëtare.
Në këtë bisedë për portalin tonë, Lecaj ka shpjeguar edhe temën e ndjeshme të filmit të tij, që flet për traumat psikologjike të meshkujve shqiptar të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovës. Kjo temë, sipas tij, e ka tronditur publikun në Norvegji dhe në Indi.
Korab, po e nisim me suksesin e fundit që ka bërë bujë në të gjitha mediat shqiptare, për çmimin kryesor “BEST SHORT FILM” që keni fituar me filmin tuaj “Klithma” në West Nordic International Film Festival në Norvegji. Ç’domethënie ka ky çmim për ju si regjisor dhe për filmin “Klithma” në përgjithësi?
Çmimi “BEST SHORT FILM” në festivalin norvegjez është i treti me radhë për filmin tonë dhe më i rëndësishmi. Duke pasur parasysh se në festivalin ku kemi garuar, West Nordic International Film Festival, kanë qenë në garë 30 filma nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe dy filma që kanë qenë në garë në Festivalin e Kanës dhe tre në Berlinale në Gjermani, dhe ne kemi fituar çmimin kryesor, kjo i ka dhënë një dimension tjetër sukseseve të filmit “Klithma” në arenën ndërkombëtare.
Prandaj, për mua si regjisor çmimi më fjalë ma ka shpërblyer mundin dy vjeçar që kam bërë për këtë film dhe më ka dhënë një dëshmi se filmi ynë pa ndonjë problem konkurron me filma botëror.
Në fakt, ky nuk është vetëm sukses i imi personal, është sukses edhe i aktorëve, producentit Besar Zahiti, ekipit në përgjithësi që ka dhënë kontribut në film dhe mbi të gjitha është sukses i kinematografisë kosovare.
Ju thatë se keni garuar me filma që kanë qenë në Kanë e Berlinale dhe keni fituar çmimin kryesor në Norvegji. Cila është pika e fortë e filmit tuaj, që e a shtyrë jurinë ndërkombëtare në West Nordic International Film Festival, t’ju shpërblejë me çmimin “BEST SHORT FILM”?
Kur një film fiton çmimin kryesor, si në këtë rast “BEST SHORT FILM”, do të thotë se juria vlerëson regjinë, skenarin, aktrimin, kostumografinë, skenografinë, trajtimin artistik dhe temën në përgjithësi.
Mendimi im është se filmi “Klithma” ka disa pika të forta. Së pari ka temën, e cila flet për pasojat psikologjike të meshkujve shqiptar të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë nga paramilitarët serb.
Së dyti, qasja regjisoriale karshi kësaj teme të ndjeshme – mënyra se si e kemi rrëfyer këtë tregim, është rrëfim universal, që mund ta kuptoj çdo shikues, anembanë botës.
Dhe së treti mendoj se në film kemi aktrim briliant të aktorëve, duke filluar nga roli kryesor Hazir Haziri, më pas Alban Zogaj, Arjola Demiri e Arbnesha Grabovci-Nixha etj.
Kur përmendët temën e filmit (pasojat psikologjike të meshkujve shqiptar të cilët janë dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë nga paramilitarët serb), si është pritur në arenën ndërkombëtare kjo temë, e kemi fjalën për festivalet ku është prezantuar tashmë filmi “Klithma”?
Rrëfimi i filmit “Klithma”, e ka tronditur publikun norvegjez. Shumë shikues, pasi e kanë parë filmin në festival, më kanë ndalur dhe kam biseduar me ta. Janë shokuar nga ajo që kanë parë dhe kanë dëgjuar. Janë tronditur nga fakti se në Kosovë, përveç 20 mijë grave, të dhunuar seksualisht ka edhe meshkuj.
Të them të drejtën, këtu e kam parë fuqinë e filmit. Për vetëm 25 minuta, sa zgjat filmi ynë, ne kemi arritur t’i tregojmë shoqërisë norvegjeze një të vërtetë të hidhur që i ka ndodhur popullit tonë në luftë.
Reagime të njëjta ka pasur edhe në Mumbai të Indisë ku është shfaqur filmi, ku edhe kemi fituar çmimin për montazhin më të mirë.
Ju përmendet fuqinë e filmit, ndikimin e tij në opinion dhe mundësinë që një artist mund t’ia thotë një të vërtet botës. Çfarë e bën kaq të fuqishëm filmin dhe sa e shfrytëzojmë ne si shoqëri kinematografinë për t’i treguar botës temat tona dhe të vërtetat e shoqërisë tonë?
Shumë pyetje me vend. Filmin e bën të fuqishëm, prania e tij në secilën shoqëri në botë, në secilën familje që ka qasje në kinema, televizor, internet etj. Pra, filmi depërton atje ku nuk mundet të depërtojë për shembull, teatri.
Filmi është shumë i popullarizuar sot në botë. Filmi, përmes ideve që sjell dhe i trajton ato, i paraprinë ngjarjeve nëpër botë. Thënë shkurt, filmi krijon opinion. Ndryshon mentalitete dhe ia tregon të vërtetën botës. Prandaj është i fuqishëm. Dhe, sa ne e shfrytëzojmë filmin për t’ia treguar temat tona botës dhe të vërtetat, kjo është për t’u disktuar.
Kinematografia kosovare, e cila gjatë viteve ’90 ka pësuar një vdekje klinike, pas lufte ka pasur tendencë për ringjallje. Sot, 20 vjet pas lufte, jemi në kërkim të një identiteti kinematografik, që për mendimin tim, ende nuk e kemi gjetur. Por, tendencat janë të mira. Rruga është e mirë.
Kineastët kosovarë, janë duke realizuar filma çdo ditë e më të mirë që po kanë suksese në botë. Dhe, në vazhdën e këtyre sukseseve, dikush me ndihmën e Qendrës Kinematografike, dikush tjetër me suksese personale, po arrijnë t’i dërgojnë në botë, storiet e Kosovës.
Korab, ka disa vjet që merreni me film, edhe pse publiku ju njeh si gazetar/moderator i emisioneve televizive që i bëni tash e 15 vjet. Keni dy dashuri, në këtë rast filmin dhe televizionin, apo tashmë e keni ndarë mendjen, më shumë merreni me film?
Në fakt, me te dyja merrem paralelisht, herë më njërën e herë me tjetrën më shumë, varët nga angazhimi. Natyrisht se filmi është dashuria ime për faktin se e kam studiuar dhe kam magjistruar në regji filmi në Fakultetin e Arteve, në degën e Regjisë së Filmit në Prishtinë.
Me film merrem tash e 10 vjet dhe me televizion rreth 15 vjet. Secila e ka vendin e vet. Secila e ka kënaqësinë e vet. Edhe pse, filmi për mua është një nivel tjetër i komunikimit nëse e krahasojmë me televizionin.
Ju keni disa filma të shkurtër dhe dokumentar që keni realizuar. A keni në plan të realizoni ndonjë film të metrazhit të gjatë?
Deri më tani kam realizuar rreth 14 filma të metrazhit të shkurtër dhe shtatë filma dokumentar.
Aktualisht jam në përgatitje të skenarit për film të metrazhit të gjatë. Vitin e ardhshëm do të konkurroj në konkursin e Qendrës Kinematografike të Kosovës me shpresën që do të gjejë mbështetje.
Me sukseset e filmit “Klithma” e filluam dhe po e përfundojmë me të. Ku do të jetë filmi juaj pas këtij suksesi që kishit në tri festivale, ku fituat tri çmime?
Pas suksesit në tri festivale, e sidomos pas suksesit në Norvegji, filmi “Klithma” do të jetë pjesë edhe e festivaleve të tjera. Për momentin nuk dua t’i bëjë publike, por shumë shpejt do t’i publikojmë. Shpejt do të jetë një lajm shumë i mirë për filmin tonë.
Një mesazh për fund?
Shpresoj që shteti i Kosovës, një ditë do ta trajtojë kulturë, veçanërisht kinematografinë me prioritet. Shpresoj që shteti i Kosovës një ditë ta katërfishoj buxhetin e filmit. Mesazhi im është për politikën – financoni kinematografinë sepse filmi është ambasadori më i mirë për shtetin tonë.
/Telegrafi/