Site icon Telegrafi

Refiqe Tërnava – Beka: T’i ndihmojmë fëmijët që të kenë një vend që e meritojnë

Kandidatja e koalicionit LDK – AKR – Alternativa, Refiqe Tërnava – Beka, ka theksuar se në momentin që është bërë nënë, jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht.

Ajo në profilin e saj në Facebook, ka shkruar se “kuptohet që këtë ndjenjë e ka çdo grua që nga momenti që kupton që është bekuar me fëminë e saj”, duke shtuar se “procesin e të bërit nënë të cilën e kam kaluar mund ta konsideroj në një nuancë të veçantë”.

“Kjo vjen sidomos nga komplikimet të cilat i kam kaluar gjatë këtij procesi, ku kam kuptuar që mund edhe të mos kem fëmijë”, ka shtuar Tërnava – Beka.

Sipas saj, fëmijët janë dhe gjithmonë do të mbeten pika e saj më e dobët, dhe “si nënë do të mundohem të jemi zëri i të gjithë fëmijëve kosovar”.

“Unë synoj që të inicioj projekte që lidhin fëmijët me aktivitete që iu mundësojnë atyre të mendojnë, analizojnë dhe diskutojnë problemet, mundësitë dhe qëllimet në jetën e tyre. Përmes këtyre projekteve, ne synojmë që të sigurojmë një ambient të kënaqshëm për fëmijët tanë ashtu që ata të arrijnë potencialin e tyre më të lartë”, ka shtuar ajo.

Tërnava – Beka ka thënë se “të mbushur me energji dhe ambicie të larta, fëmijët e shtetit të porsalindur të Kosovës janë pasuria më e vlefshme e saj”.

“Që ata të jenë të shëndetshëm, të sigurt dhe kureshtarë, ata kanë nevojë për mbrojtjen, mbështetjen dhe kujdesin tonë gjatë tërë fëmijërisë së tyre. Ne duam që ta shohim Kosovën duke lulëzuar, ku fëmijët zënë një vend të rëndësishëm në shoqëri. Nuk ka aspak dyshim që fëmijët kanë potencialin dhe kapacitetin që të transformojnë vendin tonë në një fanar të shpresës dhe prosperitetit. T’i ndihmojmë fëmijët e Kosovës të thyejnë barrierat që i pengojnë ata të kenë një vend dhe komb që e meritojnë”, ka shtuar ajo./Telegrafi/

Exit mobile version