Në një bisedë ekskluzive për gazetën Infopress, ky grup premtues, ka shpaluar planet, idetë, dhe qëndrimet e tyre për të tashmen dhe të ardhmen e tyre. Tanimë ata njihen në Kosovë më së shumti nga hit-singli i tyre ‘Knej a anej’ i emetuar nga shumë stacione televizive në Kosovë dhe Shqipëri.
Si ju erdhi ideja për një grup të tillë të muzikës rok?
Albani: Në fillim as ne nuk kemi pasur ide të qarta se çka do të bëjmë me muzikën tonë, por thjeshtë e kemi pasur një pasion për muzikë në përgjithësi, për të krijuar muzikë, për të dëgjuar muzikë dhe për ta jetuar jetën ashtu si duam ne. Me kalimin e kohës me anëtarët tjerë të grupit, si dhe me ndikimin e personaliteteve të ndryshme tek anëtarët e grupit për faktin se çka është muzika, ne kemi arritur të krijojmë një tingull të veçantë dhe që është pëlqyer nga të gjithë. Përveç kësaj kemi arritur të pajtohemi rreth qëllimeve të qarta se çka do të bëjmë dhe si do ta zhvillojmë muzikën tonë.
Emri i bendit sipas vendit ku jemi takuar
Si keni rënë në kontakt me njëri tjetrin?
Albani: Së pari, unë jam takuar me Adilin në një festë ‘halloween’ në vitin 2004 në Malmö. Për herë të parë takova një shqiptar në Suedi që luan një instrument të një zhanri tjetër përveç muzikës popullore. Unë u gëzova shumë sepse këtu në Suedi, shqiptarët nuk janë edhe aq të integruar në shoqërinë dhe kulturën Suedeze. Prej asaj mbrëmje ne të dy kemi mbajtur kontakte dhe kemi kërkuar anëtarë tjerë, si daullist dhe basist për grupin. Pothuajse të gjithë anëtarët tjerë të grupit i kemi takuar në një kafe/galeri të qytetit të Malmos që thirret Red Dog. Aty rrinë shumë artistë dhe njerëz të kulturës sepse edhe ka ekspozita të artit çdo muaj. Aty është incizuar edhe videoklipi i hitit ‘Knej a Anej’.
A keni mosmarrëveshje në Band pasi që jeni shqiptaro-suedez si band?
Albani: Kurrë! Ne nuk kemi mosmarrëveshje të atij lloji. Edhe ato keqkuptime që i kemi, nuk mendoj se janë mosmarrëveshje kulturash. Por duhet të them se ky fakt na ka ndihmuar së tepërmi të zhvillojmë dy mentalitete të ndryshme. Mu për këtë na është dhënë mundësia të shkruajmë tekste nga të dyja anët. Për shembull teksti i këngës ‘Kryengritësi’ është tipike me temë të shoqërisë shqiptare dhe atë në mënyrë kritike ndërsa kënga tjetër ‘Love will reach us’ është me temë të shoqërisë suedeze. Kjo e fundit bën fjalë kundër racizmit në Suedi. Ne përshtatemi në grup edhe sa i përket ideve. Ne edhe kemi për qëllim popullarizimin e muzikës sonë në Suedi, Kosovë dhe Shqipëri. Për këtë kemi punë më tepër, ndoshta edhe dyfish sepse për çdo këngë shkruhet teksti në dy gjuhë, atë angleze dhe shqipe por pasioni është gjithëherë e më i madh edhe në këto raste.
Nuk kemi dëshirë t`i japim një zhanër muzikës që bëjmë
Keni realizuar ndonjë koncert apo keni performuar diku me band?
Albani: Po. Kemi marrë pjesë në shumë koncerte, nëpër pube, klube, festivale, në Malmö, por edhe jashtë Malmös në Suedi. Në ‘Top Fest’ në Shqipëri kemi marrë pjesë dy herë.
Sa këngë i keni të realizuara?
Albani: Tani i kemi vetëm 5 këngë nga të cilat i kemi dy të përfunduara edhe të lansuara ndërsa ende i kemi tri në ‘demo’. Në dhjetor planifikojmë të incizojmë edhe dy këngë tjera nga të cilat, njëra është “Kryengritësi”. Për këtë këngë planifikojmë edhe videoklip dhe i dedikohet publikut shqiptar.
Çfarë zhanri klasifikohet muzika juaj?
Albani: Hmm… kjo puna e zhanrit na bën të mendojmë shumë. As ne nuk jemi të sigurt për zhanrin por edhe shpesh nuk kemi dëshirë t`i japim një zhanër muzikës që bëjmë.
Pse?
Albani: Arsyeja është sepse frikësohemi se mos kategorizohemi në një zhanër që pastaj do të na kufizojë. Kemi dëshirë të jemi të lirë dhe kështu mendojmë të krijojmë muzikë sa më origjinal dhe më të mirë. Por pasi po insistoni, mund të them se muzika që ne kultivojmë përngjanë më së shumti; punkrock, indierock, reaggaepunk dhe bluesrock.
Nuk më pëlqen të këndoj suedisht
Këndoni vetëm anglisht dhe shqip apo edhe suedisht?
Albani: Deri tani vetëm anglisht dhe shqip. Po kemi menduar të këndojmë edhe suedisht, por nëse vendosim ashtu, atëherë do të këndojmë në një gjuhë ‘slang’ që përdoret dhe flitet nga të huajt e edhe shqiptarët në Suedi. Kemi menduar se do të jetë diçka më interesant. Përndryshe jo, se mua si këngëtar i grupit nuk më pëlqen të këndoj suedisht dhe nuk mendoj se do të më bëj apo detyroj dikush të këndoj.
“Knej a anej”, relacion dashurie e kombinuar me krizë psikike
Çfarë kuptimi ka kënga “Knej a anej” për ju pasi që në Kosovë është mjaft e popullarizuar?
Albani: Po, kënga ‘Knej a anej’ njëmend është bërë e madhe ose më mirë të them më e madhe se sa kemi pritë e kjo sidomos në Shqipëri. E gjithë kjo duke ju falënderuar juve mediave- ‘fuqia e dytë’ e kohëve të fundit. Por këtu në Suedi kënga ‘Knej a anej’ e ka emrin “I’m freezin”, dhe sa na përket neve, kjo është vetëm një këngë ndër të tjerat që i kemi. Kjo këngë është me tematikë të krizës psikike dhe refreni është një ‘relacion dashurie e kombinuar me krizë psikike’.
Keni bashkëpunim me dikë nga Kosova apo Shqipëria?
Albani: Deri tash nuk kemi bashkëpunim me askënd por kemi kontakte të shumta me artistë të ndryshëm nga Kosova dhe Shqipëria. Unë shpresoj një bashkëpunim në të ardhmen i cili bashkëpunim do të na ndihmonte shumë për arsye se ne nuk jetojmë afër skenës së muzikës shqiptare dhe nuk jemi të informuar se çka ndodhë aty. Ne do të kishim mundësi t`i ndihmonim grupet dhe artistët tjerë, bashkëpunim s`mund të them që kemi.
Albumi në shitje në vitin 2008
A do t`kemi së shpejti ndonjë album nga ju?
Albani: Po. Vitin e ardhëm do të plasojmë albumin. Nuk jam i sigurt se kur por do të del në shitje në vitin 2008.
Sa këngë do t`i përmbaj?
Albani: 10 deri 15 këngë. Albumi do të vetëfinancohet prej grupit dhe incizimet do të bëhen në të njëjtën studio, ku e kemi bërë edhe këngën ‘Knej a anej’.
A do të bëni promovim në Kosovë?
Albani: Sa për promovimin në Kosovë apo Shqipëri nuk mund të them ende asgjë, sepse nuk është e sigurt asgjë por shpresoj se do të bëjmë.
Grupi favorit “Gjurmët”
Çfarë mendoni për rokun kosovar?
Albani: I mirë! Edhe pse sa kam parë unë këto rrymat e ‘rock’ muzikës apo ‘alternative’ kanë shumë pak mbështetje prej mediave, publikut apo edhe kritikëve.
Cilin bend e keni favorit tuajin?
Albani: Nëse do të duhej të zgjidhja një grup favorit, ai do të ishte ‘Gjurmët’. Më e rëndësishmja për atë grup është sepse këngët e tyre kanë qenë të kapshme për të gjithë popullin, në të njëjtën kohë edhe me tekste edhe me muzikë.
Intervistoi: Abit Hoxha/Infopress