Vjen reagimi nga Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit pas dyshimeve për kurdisje te ndeshjeve në futbollin tonë.
MKRS përmes një njoftimi thotë se po ndjek me shqetësim pretendimet dhe raportimet ditëve të fundit për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në futbollin e Kosovës.
“MKRS-ja i bën thirrje dhe pret nga Federata e Futbollit të Kosovës që të ndërmarrë të gjitha masat adekuate, me qëllim zbardhjen në të tërësi të pretendimeve të tilla. MKRS-ja është e bindur që organet përkatëse të FFK-së dhe organet e tjera do ta trajtojnë me seriozitet të plotë këtë situatë. MKRS-ja ka krijuar kushtet ligjore për parandalimin e të gjitha dukurive të kësaj natyre, nëpërmjet Ligjit për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive”, është thënë në njoftimin e MKRS-së.
Sipas këtij njoftimi, MKRS-ja kërkon nga të gjithë faktorët relevantë që të jenë të përgjegjshëm në këtë fazë të rëndësishme për zhvillimin e futbollit dhe të sportit të Kosovës, sidomos pas anëtarësimit të FFK-së në UEFA dhe në FIFA.
MKRS-ja po punon intensivisht, duke investuar në shumë drejtime, për përmirësimin e infrastrukturës sportive dhe për plotësimin e standardeve ndërkombëtare, prandaj bën thirrje që të shmanget çdo dukuri që mund të dëmtojë imazhin e sportistëve dhe të sportit të Kosovës në përgjithësi.