Mbrojtësi me përvojë, Visar Berisha është larguar nga Liria dhe thotë se nuk do të kthehet përderisa klubi t’i kryejë obligimet ndaj tij.
“Arsyeja e largimit tim është puna e kontratës, mos kryerja e obligimeve ndaj meje. Pagën e dhjetorit me kanë premtuar që do ta marrë sipas kontratës, por nuk e kanë realizuar. Për këtë qëllim nuk do të vazhdojë pa i marrë paratë sipas marrëveshjes me kontratë”, tha Berisha për gazetën kombëtare “Bota sot.
Por skuadra prizrenase ka reaguar duke thënë se të gjitha këto janë shpifje dhe se nuk ka krizë te Liria.
Më poshtë e keni reagimin e plotë
Të indinjuar me shpifjet dhe fyerjet që i ka bërë në adresë të KF ‘Liria’, futbollisti i Lirisë, Visar Berisha, për opinion sqarojmë.
’Visar Berisha nuk është larguar nga askush. Ai, ka ikur vetë, duke lënë në baltë të gjithë shokët e klubit, edhe pse ka qenë i privilegjuari në pagesa. Ai, është i vetmi të cilit klubi nuk i ka asnjë cent borxh. Madje, më i privilegjuari, pasi vitet e shkuara ka marrë pagën e dhjetorit si i vetmi futbollist. Kemi paasur marrëveshje që në fillim të stinorit të fshihet kësti i dytë, për 6-të mujorin vijues (pranveror), i cili është në vazhdim.
Por, askund s’ka qen e saktësuar që kjo të bëhet në fillim të vitit, por gjatë stinorit. Megjithatë, ne kemi pasur disa vështirësi deri në lëshimin e mjeteve, që vijnë nga pozicionet e Komunës dhe e kemi lutur ate që të pres edhe pak. Premtimi ka qenë që asnjë cent s’do ti mbetemi borxh.
Madje, kryetari i ka thënë se edhe privatisht do t’i përgjigjet reth mjeteve, nëse është nevoja. Por, ai në mënyrë demonstrative është larguar pa paralajmërim duke lënë në baltë shokët e klubit dhe tashmë merret me akuza dhe fyerje, për çka do të përgjigjet.
Visari ka luajtur me Bashkimin (për Kup) si dhe ka stërvitur deri para ndeshjes me Hajvalinë. Mirëpo, përkundër premtimit të kryetarit të klubit dhe n/kryetarit, se pagesat do të kryhen në rastin e parë, ai nuk ka udhëtuar në ndeshje me Hajvalinë, duke bërë gjest të ulët dhe duke shpërdoruar besimin e shokëve e të Bordit. Faktikisht ai ka sabotuar klubin.Për të tilla veprime , pason ndëshkimi. Ne, e kemi lënë pa e ndëshkuar, suspenduar por ai me këtë paraqitje në opinion do të ketë pasoja vetë si futbollistë, ndërsa për shpifje dhe fyerje edhe do të ndiqet penalisht.
Ai, është futbollist i licencuar deri më 30 qershor te Liria dhe askund nuk mund të shkoj, pos të ‘mrizoj’ deri në fund të stinorit. Ne, si klub jemi në gjendje të ballafaqohemi mbi bazën e argumenteve në çdo kohë dhe kudo, për rastin e Visarit, dhe do të shihet qartë se ai s’ka të drejtë.
Liria, e ka kthyer në jetë, pas lëndimit tre vjeçar dhe për këtë duhet të jetë mirënjohës, jo të merret me shpifje të ulëta si dhe me tentim krijimin e grupacioneve tash së fundi.Por, gjithë përpjekjet për denigrim dhe imponim të ‘frymës’, klanore-grupore , nga ai, do të mbeten dëshira të tij dhe dëmi për te, do të jetë i pa riparueshëm.’, thuhet në reagimin e KF ‘Liria’.