Faqja e klubit gjakovar, Vëllaznimi, kanë lëshuar një komunikatë, ku tregojnë gjendjen e rëndë financiare dhe organizative që po përjeton klubi i tyre.
Vëllaznimi dështoi të hyjë këtë vit në Superligën e Kosovës, pasi u mposht në ndeshjen e barazhit nga Trepça ’89.
Organizimi i tyre u lavdërua shumë gjithandej dhe të gjithë thoshit se sezoni i ardhshëm i Superligës do të shihte Vëllaznimin pjesë e tyre.
Megjithatë, faqja e klubit kuqezi ka reaguar duke thënë se gjendja e klubit është alarmante dhe nuk mbahet mend të ketë qenë ndonjëherë kështu.
Postimi pa ndërhyrje i KF Vëllaznimit:
SITUATË ALARMANTE NË KLUB
Nuk mbahet në mend që Klubi i Futbollit Vëllaznimi të ketë qenë ndonjë herë në situatë më të vështirë se që është aktualisht. Me probleme të mëdha financiare por edhe organizative, pa kryetar e pa kryesi, situata në klub është alarmante.
Kryetari aktual, z.Agim Cana, i cili për një vit e gjysmë ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm, ka paraqit dorëheqje nga ky post, dorëheqje kjo që nuk është pranuar nga zyrtarët më të lartë komunal. Pavarësisht kësaj, ai, tash e një kohë është larguar nga Kosova. Në ndërkohë fare nuk është sqaruar se kush do të merr përsipër shlyerjen e borxheve të prapambetura por as kush do të merr përsipër financimin e mëtutjeshëm të veprimtarisë së Klubit. Bizneset gjakovare nuk kanë dëshmuar gatishmëri të theksuar, ndoshta edhe nga pamundësia, që të ndihmojnë ndjeshëm financiarisht Klubin, ndërsa vetë komuna e Gjakovës nuk po gjen formë që ta bëjë një gjë të tillë.
Këto probleme financiare e organizative kanë reflektuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në situatën në skuadrën e seniorëve (por edhe atë të juniorëve). Kështu, futbollistët, atë që e kishin paralajmëruar disa herë kohë më parë, e jetësuan dje (e mërkurë). Të pakënaqur me mosshlyerjen e borxheve të prapambetura dhe mospagesën e pagave për këtë edicion të garave, ata, të mërkurën nuk pranuan të stërviten, duke paralajmëruar se nuk do t’i kthehen stërvitjeve deri sa të mos përmbushën obligimet financiare ndaj tyre.
Kjo ka bërë që situata në klubin Vëllaznimi të jetë vërtet alarmante, dhe, nëse brenda pak ditëve të ardhshme nuk gjendet ndonjë zgjidhje emergjente, Klubi i formuar para 94 vitesh dhe i regjistruar zyrtarisht para 92 vitesh, fatkeqësisht, rrezikon seriozisht të pushon aktivitetin përkohësisht apo për një kohë më të gjatë.
/Telegrafi/