Sulmuesi i Lazios, Ciro Immobile, ka kërkuar falje për reagimin e tij në momentin e zëvendësimit në ndeshjen e të dielës kundër Parmas.
Futbollisti italian ishte njëri nga golashënuesit në fitoren prej 2-0, mirëpo nuk ishte aspak i kënaqur në momentin e zëvendësimit saqë filloi të bënte gjeste me duar teksa largohej nga fusha.
Trajneri Simone Inzaghi reagoi menjëherë për ta minimizuar incidentin, ndërsa 29-vjeçari ka kërkuar falje përmes një postimi në Instagram.
“Nganjëherë presioni dhe tensioni na bën që të bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bënim… Është e drejtë t’u kërkoj falje bashkëlojtarëve dhe trajnerit për sjelljen time pas zëvendësimit”.
“Është e kuptueshme se njerëzit gjithmonë përpiqen të nxjerrin diçka, por mësimet janë për t’u mësuar”.
“Askush nuk është i përsosur, është e rëndësishme ta kuptosh kur ke gabuar. Veç kësaj dua të them se falë tifozëve tanë kemi zhvilluar një ndeshje kaq të mirë”, ka shkruar Immobile në Instagram. /Telegrafi/