Largimi i Bernie Ecclestone nga drejtimi i Botërorit të Formula 1, ka shkaktuar reagime të protagonistëve të këtij kampionati.
Pas gati 40 viteve në krye të Botërorit, Ecclestone ia kaloi stafetën “Liberty Medias” dhe Chase Carey. Në rrjetet sociale nuk ishin të paktë ata që kanë dhënë opinionin e tyre në lidhje me lamtumirën e Ecclestone nga Formula 1, siç ishte rasti i Nico Rosberg.
“Bernie bëri një punë të madhe, por kishte ardhur koha për ndryshime”, shkruan kampioni i botës i tërhequr nga Formula 1 në profilin e tij në Twitter. “Z. Carey do japë më të mirën për ta bërë sërish sportin tonë fantastik”.
Ndërsa drejtori ekzekutiv i Mclaren, Zak Brown, deklaroi se Formula 1 nuk do të ishte ajo që është sot pa kontributin e Bernie Ecclestone.
Romain Grosjean ishte një tjetër pilot që foli për largimin e 86-vjeçarit duke e falënderuar për punën e bërë e duke mirëpritur marrjen e pronësisë nga ana e “Liberty Medias”
“Shpresoj që Formula 1 të përmirësohet akoma më shumë”, ishin fjalët e Felipe Massas që ashtu sikurse edhe Grosjean, falënderoi Eccleston për të mirëpritur më pas ardhjen e “Liberty Medias” në krye të Formula 1. /TCH/