Site icon Telegrafi

Re të zeza – FMN publikon prognozën për ekonominë botërore

Megjithë krizën financiare ekonomia botërore vazhdon të rritet, por jo më në vendet e mëdha të industrializuara. Rritje ekonomike shënojnë tanimë vende në ekspansion si Kina, India, Rusia dhe pjesë të Afrikës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar në "Prognozën për ekonominë botërore" për vitin 2009 parashikon një rritje prej 3 për qind të ekonomisë globale dhe nuk flet shprehimisht për një ‘recesion mbarë botëror

Edhe në vendet në ekspansion normat e rritjes ekonomike janë në rënie por kriza financiare ndrëkombëtare në Kinë, Rusi, Indi dhe disa pjesë të Afrikës nuk ka të njëjtat efekte. Falë vendeve në ekspansion, ekonomia botërore nuk shënon një rënie të përgjithshme përkundrazi vazhdon të rritet këtë vit dhe madje edhe gjatë vitit të ardhshëm edhe pse me ritme më të ngadalta. Në Kinë p.sh. rritja ekonomike do të ulet nga 11,9 për qind vitin e kaluar në 9,3 për qind, në Indi nga 9,3 në 6,9 për qind dhe në Rusi nga 8,1 në 5,5 për qind.

Integrimi i dobët të Afrikës në ekonominë botërore mbron situatën e saj ekonomike

Këto norma më të ulëta rritjeje janë megjithatë mjaft më të larta se rritja ekonomike në vendet e mëdha industriale në kulmin e bumit të ndërprerë papritur. Edhe vetë Afrika sipas prognozës së FMN-së do të ruajë një situatë relativisht të mirë ekonomike gjatë krizës globale financiare. Kjo ka të bëjë me integrimin e dobët të Afrikës në ekonominë botërore. Kina dhe India përmes rezervave të mëdha në deviza dhe kërkesën e lartë në vend mund të zbusin pasojat e krizës.

Në vendet në ekspansion ekonomia botërore pritet të rritet në vitin 2009 me tre për qind

Ndërkohë që falë rritjes në vendet në ekspansion ekonomia botërore do të rritet me tre për qind edhe vitin e ardhshëm, sipas mendimit të ekspertëve të FMN-së në vendet e mëdha të industrializuara do të ketë stanjacion e ndoshta recesion. Parashikimi i FMN-së për këto vende është një rënie në Britani të Madhe, Francë dhe Itali, ndërsa në SHBA ekonomia do të shënojë një rritje minimale.

Rënie në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali

Në Gjermani ekonomia do të jetë në stanjacion, thotë Jörg Decressin nga FMN-ja: "Në Gjermani shohim një tkurrje të qartë me rritje 0 për qind. Gjermania nuk ka përvojë me bumin në sektorin e pasurive të patundshme por rritja ekonomike mbështetet në masë të madhe nga eksportet . Nëse rritja e ekonomisë botërore ngadalësohet, eksportet gjermane do të bien. Kjo është arsyeja pse ne parashikojmë një normë rritjeje prej 0 për qind."

Motori i ekonomisë gjermane, eksportet, do të fillojë të rënkojë për të ndalur më pas plotësisht. Nëse të gjithë përbërësit e ekonomisë bien në stanjacion pasi do të paralizohen edhe investimet dhe konsumi privat prej vitesh nuk shënon rritje, atëherë rritja ekonomike bie në zero.

Shpresa për eksportet gjermane vendet e botës së tretë dhe Rusia

Shpresa për eksportet gjermane vjen nga vendet e botës së tretë dhe Rusia. Ekonomia gjermane ofron pikërisht atë çka duan vendet në zhvillim ose të pasurit e rinj të këtyre vendeve: infrastrukturë, pajisje industriale, medikamente, makina luksoze dhe produkte ushqimore të cilësisë së lartë. Kjo do të thotë se eksportet gjermane vërtet do të shënojnë një rënie të fortë për shkak të kërkesës nga vendet e tjera të BE-së dhe vendet e industrializuara jo europiane. Por vendet në ekspansion me rezervat e tyre gjigante në valutë do të pengojnë një rënie akoma më të thellë.

Përballë ndërthurjeve ndërkombëtare në ekonomi sipas mendimit të FMN-së masat e shteteve të veçanta nuk janë të mjaftueshme. Përkundrazi: ekziston rreziku që qeveritë dhe bankat qëndrore në fund t’i drejtohen fillit të fundit të shpëtimit, proteksionizmit. Kjo do të ishte një zgjidhje ndoshta popullore por tejet e gabuar. Vendet e mëdha industriale gjenden së bashku në krizë dhe vetëm së bashku mund të dalin prej saj. Për këtë është e nevojshme një strategji ndërkombëtare e koordinuar veprimi. /DW/

Exit mobile version