Milot Rashica e ka mbyllur me gol sezonin 2018/19 në elitën e futbollit gjerman Bundesliga.
Ylli i Kosovës shënoi nga penalltia përballë RB Leipzig në fitoren e ngushtë të Bremenit 2-1.
Werder e mbylli këtë edicion në pozitën e tetë në tabelë me 53 pikë dhe vetëm për një pikë mbeti jashtë Ligës së Evropës.
Gjithsesi për Rashicën ishte një vit i mbarë, pasi shënoi nëntë gola dhe bëri pesë asistime në Bundesliga, derisa kontribuoi edhe me tre gola e një asistim në Kupën e Gjermanisë.
“E dinim se ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe duhej ta fitonim patjetër, por që triumfuan edhe kundërshtarët tanë”, tha Rashica.
Vushtrriasi e cilëson një sezon pozitiv për klubin edhe pse nuk arritën të futen në garat evropiane.
“Kemi qenë shumë afër, por nuk ia dolëm të shkonim në garat evropiane. Gjithsesi e cilësoi si një sezon shumë pozitiv. Sezonin e ardhshëm do të bëjmë më shumë”, tha Rashica.
Krejt në fund reprezentuesi i Kosovës deklaroi se është shumë i kënaqur edhe me ecurinë e tij në kampionat dhe kupë.
Për Rashicën interesim ka shfaqur pikërisht kundërshtari i djeshëm RB Leipzig si dhe dy skuadrat angleze Everton e Crystal Palace. /Telegrafi/