Sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford është përjashtuar nga fillimi i sezonit pasi u konfirmua se do t’i nënshtrohet një operacioni në shpatull.
Reprezentuesi anglez ka luajtur me dhimbje të ndryshme gjatë dy viteve të fundit dhe është duke luftuar me një këputje të muskujve në shpatull që nga nëntori.
Pas bisedave mes Rashford, Ole Gunnar Solskjaer dhe stafit të klubit është vendosur se mënyra më e mirë e veprimit është që ai të operohet.
United konfirmoi vendimin në një deklaratë të lëshuar sot (e premte) gjatë ditës.
“Pas konsultimit midis Marcus, menaxherit, stafit mjekësor të klubit dhe specialistëve, Marcus do t’i nënshtrohet një operacioni të menjëhershëm për të zgjidhur dëmtimin e shpatullës”.
“Ai tani do të përqendrohet në rehabilitimin e tij në mënyrë që të kthehet sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e Unitedit.
We know you'll come back stronger, @MarcusRashford ❤️💪#MUFC
— Manchester United (@ManUtd) July 30, 2021
Ai duhej të paraqitej për stërvitje para-sezonale të hënën, pasi kishte tre javë pushim pas përfshirjes së tij me Anglinë në Kampionatin Evropian të kësaj vere.
Por, ai tani do t’i nënshtrohet një operacioni dhe ka të ngjarë të jetë jashtë fushave për disa javë, me tetorin që përmendet si një datë e mundshme e kthimit. /Telegrafi/