Marcus Rashford ia ka uruar të gjitha të mirat Cristiano Ronaldos pas largimit të ikonës së futbollit nga Manchester United dhe e ka përshkruar lojën me idhullin e tij si një përvojë të pabesueshme.
Superylli portugez dhe klubi anglez arritën marrëveshje për ndërprerje të kontratës në javën e kaluar, pas kritikave publike të 37-vjeçarit kundrejt Djajve të Kuq në intervistën me Piers Morgan.
Gjatë një konference për shtyp me Anglinë, Rashford ka folur për kapitenin e Portugalisë si një prej idhujve të tij dhe e ka falënderuar për atë që ka bërë për Unitedin.
“Ka qenë një përvojë e pabesueshme të luaja me të. Ai është njëri nga idhujt e mi dhe dikush që e kam ndjekur”.
“Është diçka që mund ta mbaj me vete përgjithmonë, ia uroj të gjitha të mirat dhe duam ta falënderojmë për gjërat që i ka bërë për Man United”, ka deklaruar sulmuesi. /Telegrafi/