Ndëshkimi që nuk paraprihet nga hetimet është një formë e madhe e injorancës. (Albert Einstein)
Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com
Raporti midis njerëzve bazohet mbi formimin e imazheve, do të thotë mbi një mekanizëm mbrojtës. Në të gjitha raportet, secili nga ne krijon një imagjinatë për tjetrin dhe raportet ndërtohen mbi këto imagjinata, e jo midis njerëzve.
Burri, bashkëshortja, bashkëpunëtori, miku, shoku, krijon një imagjinatë ndaj tjetrit, me vetëdije apo pa vetëdije krijojnë perceptimet dhe imazhet për njëri-tjetrin.
Raporti, imagjinata-ëndrra herët a vonë do të marrë fund, sepse mbështetet në imagjinatën-ëndrrën. Imagjinata-ëndrra nëse është abstrakte harrohet shpejt. Ajo ëndërr kur nuk mund të sigurojë paqen dhe suksesin, atëherë bukuria e saj zbehet, zhduket!
Megjithatë është kjo, ajo që të gjithë bëjmë, jetojmë midis ideve, midis teorive, midis ëndrrave, simboleve, imagjinatave që kemi krijuar për veten, e për të tjerët që nuk janë reale.
Në të gjitha punët, raportet tona, sukseset tona qofshin këto me një person shumë të afërt, qofshin me fqinj apo me bashkëpunëtorët, ose me shoqërinë, ekziston ky konflikt. Konflikt që është kundërthënie me gjendjen reale. Duke e vështruar mosmarrëveshjen, kuptojmë se në çdo nivel shfaqet konflikti, konflikti i vogël ose i madh por krijon reagim sipërfaqësor ose efekte të padëshiruara ose edhe shkatërrimtare.
Njeriu ka pranuar konfliktin si pjesë e lindur e jetës së përditshme, që nga momenti që ka pranuar të përballet me xhelozinë, lakminë, agresivitetin si mënyrë e natyrshme e jetesës. Është ky fakt që shumë prej nesh bien në këtë kurth, ngaqë duan të jenë në një fushëbetejë, po s’e pranuam realitetin – ramë në grackë, apo e pranuam, do të përballemi me realitetin tonë të vërtetë, atëherë do të jemi krejtësisht të lirë.
Për fat të keq, politika, pushtetmbajtësit dhe në përgjithësi raportet shoqërore konfliktuale kanë dhënë dyshime të arsyeshme, lakmi, urrejtje, xhelozi, ankth.
Në gjithë botën, shumë sekte religjioze kanë predikuar varfërinë dhe janë munduar të manipulojnë me shtresat e gjëra të popullsisë se gjoja sa më i varfër dhe sa më shumë të vuash të jesh në këtë botë, aq më mirë do të kesh në botën tjetër! Disa qethin kokën, ndërrojnë emrin, hyjnë në manastir, marrin njëherë në ditë ushqim, disa tjerë lëndojnë trupin, disa sakrifikojnë veten, flijojnë veten, disa nuk pastrohen, kështu vazhdojnë edhe si individë ashtu edhe në grupe.
Raste të tilla kanë ndodhur në Francë kur një grup njerëz sakrifikojnë veten dhe hidhen në humnerë, në emër të një jete tjetër më të mirë dhe të përjetshme. Gjithashtu në Japoni një grup të hipnotizuar nga një ideologji, shkojnë në një vend të largët nga civilizimi dhe vendosin të sakrifikohen për një jetë më të lumtur pas vdekjes.
Pyesim, a është e mundur të jetojmë, në qetësi të plotë të brendshme dhe të jashtme, që të bëhemi më dinamikë, me plot energji dhe vitalë.
Për të kuptuar e për t’u çliruar prej çdo problemi duhet një forcë e madhe, të përballesh me realitetin tonë, e vetmja forcë për mua është besimi në Zotin, i cili të jep forcë, të jep energji, besimi të freskon, besimi i fortë e dëbon frikën, besimi e dëbon xhelozinë, besimi i fortë e i drejtë, e largon urrejtjen. /Telegrafi/