Site icon Telegrafi

Raporti Marty, nuk është raport i qeverisë zvicerane

Intervistoi: Dashnim Hebibi

Këto ditë, keni qenë thuajse në të gjitha mediet zvicerane, si ato të shkruara dhe ato elektronike, në lidhje me raportin e Dick Martyt. A mund të në thoni, si janë pritur intervistat dhe prononcimet tuaja, sepse deklarata e Martyt dihet se si është pritur?
Në të gjitha intervistat dhe prononcimet që po bëjmë, ne kemi paraqitur qëndrimin e qeverisë sonë se këto akuza janë të pabaza dhe qeveria jonë i bën thirrje autoriteteve kompetente për të hetuar akuzat në fjalë, ashtu sikur e fton Z. Marty që t’i paraqesë provat e tij. Kam pasur reagime nga pala zvicerane që, në përgjithësi, kanë qenë pozitive duke i vënë një theks të veçantë argumenteve dhe gjuhës së matur.

Cilat janë përshtypjet e zyrtarëve zviceranë, kur dihet, se edhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, ka deklaruar, se deklarata e Carla Del Pontes është personale?

Mendoj se duhet bërë dallimi mes Z. Marty si deputet i pavarur dhe autoriteteve zyrtare zvicerane. Berna zyrtare kërkon që këto akuza të hetohen nga drejtësia, ashtu sikur po kërkojmë edhe ne. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur, ndaj edhe një hetim i radhës i kësaj çështje (po ju përkujtoj se deri më tani UNMIKU; Gjykata e Hagës dhe EULEX, kanë hetuar rreth këtyre akuzave, pa ndonjë rezultat) nuk na frikëson.

Zvicra për shumë bashkatdhetarë është atdheu i tyre i dytë, shpresoni, se do të ftohen marrëdhëniet mes zviceranëve dhe shqiptarëve, pas këtyre deklaratave?

Nuk mendoj, për faktin që raporti Marty nuk është raport i qeverisë ose i autoriteteve zvicerane. Zvicra mbetet një vend mik dhe një partner shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës.

Sa hapësirë ju jepet tek mediet zvicerane, për të kundërshtuar këtë raport?

Jam përpjekur ta shfrytëzoj këtë hapësirë për të qenë i pranishëm me qëndrimin tonë rreth këtyre akuzave. Kam qenë i pranishëm në lajmet qendrore të tri kanaleve kryesore në Zvicër, në intervista të drejtpërdrejta në radio si dhe në shumë gazeta. Mendoj se, i gjithë shtypi zviceran, i është referuar deklaratave dhe qëndrimeve të shprehura në këto intervista. Gjithashtu kam takuar një numër të deputetëve të Parlamentit zviceran, me të cilët kemi biseduar rreth raportit Marty.

E njihni Carla Del Ponten, personalisht, si dhe Dick Martyn?

Jo.

Po me ambasadorët shqiptarë që janë në Zvicër, atë të Shqipërisë dhe Maqedonisë, jeni takuar këto ditë?
Po, ne jemi pesë ambasadorë shqiptarë në Zvicër dhe takohemi shpesh për të biseduar për çështje që na lidhin. Sigurisht, edhe për këtë rast jemi takuar dhe kemi shkëmbyer mendime.

Raportuesi i Këshillit të Evropës akuzon kryeministrin Hashim Thaçi për përfshirje në “trafikim me drogë dhe me organet njerëzore”. A është kjo iniciativa më e rëndë perëndimore kundër kredibilitetit të faktorit politik në Kosovë?

Është fjala për një raport të një deputeti i cili përmban akuza të rënda ndaj luftës së UÇK-së dhe liderëve të saj. Ky raport akuzon edhe bashkësinë ndërkombëtare, NATO-n, SHBA-të, etj. Ndaj, në këtë kontekst, nuk mund të flitet për ndonjë nismë perëndimore kundër Kosovës ose lidershipit të saj.

Konkretisht, keni bashkëbiseduar me ambasadorin e Shqipërisë në Bern, z.Mehmet Elezi, duke ditur se, “Shtëpia e verdhë”, gjendet në Shqipëri?

Po, kemi biseduar. Sigurisht që nuk ka asnjë argument se ajo që pretendon raporti të ketë ndodhur ne Shqipëri. Qeveria shqiptare është plotësisht e hapur që të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare për ta ndriçuar këtë rast.

Keni raporte të mira me shumë parlamentarë zviceranë, pa përjashtuar edhe me zonjën Calmy Rey?

Po, raportet tona janë shumë të mira. Këto marrëdhënie janë gjithashtu rezultat i punës së mirë që ka bërë mërgata jonë këtu në Zvicër. Ne vetëm se po i forcojmë dhe zgjerojmë edhe më shumë këto marrëdhënie. Është shumë e rëndësishme që numri i miqve tanë në Zvicër të shtohet gjithnjë e më shumë dhe në këtë drejtim, unë falënderoj të gjitha ato shoqata e grupe artistike, qytetare tanë që me punën e tyre, kontaktet dhe veprimet e tyre, bëjnë që shqiptarët në këtë vend të shihen me një sy tjetër.

Z. ambasador, shqiptarët janë ndjerë të nënçmuar, imazhi i tyre po prishet në këtë shtet mik të kombit tonë?

Më duket shumë e rëndësishme që shqiptarët në Zvicër të jenë më aktivë dhe më të pranishëm në jetën shoqërore, politike dhe kulturore të vendit ku jetojnë. Integrimi i tyre në Zvicër forcon imazhin e shqiptarëve dhe lidh më shumë vendet tona.

Për momentin, si duhet të veprojë diaspora jonë?

Më duket shumë e rëndësishme ajo që thashë për integrimin. Mërgata jonë për gjithë këto vite ka krijuar ura miqësie mes dy vendeve tona, por ka krijuar edhe miqtë e saj këtu në Zvicër. T’i mbajmë afër këta miq, t’u themi se na kanë besuar edhe në kohë më të vështira kur na kanë quajtur terroristë, fundamentalistë, trafikantë droge. Duhet të na besojnë edhe tani. Ta përdorim gjithë hapësirën që ofron shtypi dhe mediet zvicerane, për të reaguar në mënyrë civilizuese dhe paraqitur argumentet tona. Askush nuk ka të drejtë ta shpallë dikë fajtor para se drejtësia ta thotë fjalën e saj të fundit.

Lajmin më të ri për shtyrjen e marrjes së çmimit "Diaspora" nga ana e ministres së Jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey, disa medie e kanë interpretuar si refuzim ose anulim të tij. Pse është shtyrë ky eveniment, kur dihet, se është dashur të mbahet më 21 dhjetor, në Bern?

Znj. Calmy-Rey ka pranuar marrjen e këtij çmimi me kënaqësi duke deklaruar se ky çmim është tregues për marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes dy vendeve tona. Ajo ka përmendur, gjithashtu, edhe rolin e diasporës sonë në rindërtimin e Kosovës.
Në kontekstin aktual, të raportit Marty, dhënia e këtij çmimi është shtyrë për një datë tjetër me qëllim që të jepet në një atmosferë më relaksuese. Nuk është e vërtetë se është anuluar (komunikata e departamentit federal është shumë e qartë), ky çmim do t’i jepet Znj. Calmy-Rey një herë tjetër.

Z. ambasador, para disa ditësh në Bern, u mbajt një mega spektakël për krijimin e fondacionit për të ndihmuar Kosovën, në prani të ambasadorëve të shumtë të huaj, e në mesin e tyre dhe nga ata që nuk e kanë njohur ende Kosovën. Na thoni, jeni i kënaqur me ndihmat që i dhanë bashkatdhetarët?

Fondacioni për Zhvillim të Kosovës është një ndër projektet madhore që është bërë në bashkëpunim edhe me autoritetet zvicerane. Ky fondacion ka për qëllim dhënien e bursave për studentë, tërheqjen e investimeve të huaja dhe promovimin e kulturës dhe integrimin e qytetarëve tanë në Zvicër. Është një shembull i mundësive që ofron Zvicra. Sipas këshillit të Fondacionit, janë premtuar 51.150 franga zvicerane. Kjo shumë mbetet që të paguhet në xhirollogarinë e fondacionit.

Si e kaloni një ditë të lirë?

T’ju them të drejtën, ka disa javë që nuk kam ndonjë ditë të lirë. Veprimtaritë kulturore dhe të tjera këtu në Zvicër janë të shumta, ndaj, gati çdo vikend jam i ftuar të marr pjesë në veprimtari të tilla.

Sa gazeta i lexoni në ditë?

Nuk e di numrin, por e përcjell me vëmendje shtypin shqip në përgjithësi, atë zviceran dhe ndërkombëtar.

Njiheni, si ambasadori, që më së shumti udhëtoni me tren, e tramvaj, nëpër Zvicër.
Është e vërtetë që, ne, nuk kemi makina zyrtare. Si njeri që ka jetuar 20 vjet në Zvicër, nuk më pengon aspak fakti të udhëtoj me tren apo tramvaj, edhe pse kjo, në disa situata, nuk është shumë praktike për një ambasador.

Si e shihni të ardhmen e të rinjve shqiptarë në Zvicër?

Të rinjtë tanë janë ambasadorët tanë më të mirë në Zvicër. Shumë prej tyre studiojnë në Universitetet dhe shkollat e larta prestigjioze të këtij vendi, ata kanë poste të rëndësishme në të gjitha sferat e jetës dhe, si të tillë, po bëhen një faktor në zhvillimin e Zvicrës, duke i ruajtur ngushtë lidhjet me vendin e tyre të origjinës. E ardhmja e tyre është e ardhmja jonë, ata sigurisht do të jenë krenarë që u përkasin dy kulturave dhe dy vendeve. /Telegrafi/

Exit mobile version