Daniele De Rossi do ta luaj ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Romës.
Kapiteni i Giallorosëve do të largohet pas takimit ndaj Parmas, pasi klubi nuk i ka ofruar vazhdimin e kontratës.
E ndeshja e fundit në krye të Romës do të jetë edhe për trajnerin Claudio Ranieri, i cili ka folur në konferencë për shtyp.
Tekniku italian ka thënë se do ta aktivizojë De Rossin nga minuta e parë me shiritin e kapitenit në krah edhe nëse klubi është kundër.
“De Rossi do të luaj titullar dhe do ta ketë shiritin e kapitenit në krah. Edhe nëse klubi do ta gjobisë për këtë, do të jem unë ai që do ta paguajë gjobën”, deklaroi trajneri italian.
Ranieri është i lindur në Romë dhe një tifoz i madh i verdhekuqëve, derisa ka thënë se pret një stadium të tejmbushur për t’i dhënë lamtumirën De Rossit.
“Pres që stadiumi të jetë i mbushur dhe me plot dashuri për De Rossin. Ai e meriton për atë që ka dhënë për këtë klub, duhet një përshëndetje e madhe”, deklaroi Ranieri.
Roma në ndeshjen e fundit pret Parman në Olimpico, derisa i duhet një fitore me pesë gola diferencë për të shkuar në Ligën e Kampionëve, por duhet të shpresojë edhe në gabimet e rivalëve si Atalanta, Inter e Milan. /Telegrafi/