Manchester United është turpëruar në udhëtim te Brighton duke pësuar humbje të thellë me rezultat 4-0.
Me disfatën e të shtunës pasdite, Djajtë e Kuq kanë humbur të gjitha gjasat për të zënë vendin e katërt, vend që i dërgon në Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.
Përveç kësaj United rrezikon edhe Ligën e Evropës, me West Ham United që ndodhet prapa në tabelë dhe mund t’ia zë vendin e gjashtë.
Trajneri i United, Ralf Rangnick ka folur pas ndeshjes, duke thënë se skuadra e tij ka bërë një ndeshje të tmerrshme ndaj Brighton.
“Kemi bërë keq nga minuta e parë deri në minutën e fundit në të dyja anët e fushës. Nuk mund të bëjmë asgjë tjetër veçse t’i kërkojmë falje tifozëve”.
“Bëmë një paraqitje të tmerrshme që solli një rezultat turpërues. Plani i ndeshjes ishte totalisht ndryshe, por në fushë nuk ia dolëm të ishim kompaktë dhe të përballeshim si duhej me kundërshtarët”.
“U ndeshëm me një skuadër që në rrafshin teknik ishte shumë e mirë dhe rezultati ishte ky që pamë. Në pjesën e parë kishim vështirësi për të ndaluar aksionet e tyre, ndërsa në pjesën e dytë u përpoqëm të rrezikonim më shumë dhe e paguam”.
“Kur ndeshja ishte 2-0 kërkuam të luanim më përpara, por pësuam edhe dy gola të tjerë gjatë minutave 63 dhe 65. Ishte një katastrofë”, u shpreh gjermani.
Pas 37 ndeshjeve të zhvilluara këtë edicion në Ligën Premier, United zë vendin e gjashtë në tabelë me 58 pikë të tubuara. /Telegrafi/