Sot në Komunën e Deçanit, Kryetari Bashkim Ramosaj dorëzoi një sasi të madhe dokumentacioni që dëshmon dëmet e shkaktuara gjatë luftës në Kosovë, i cili deri më tani ishte ruajtur në Arkivin e Komunës.
Ky dokumentacion iu dorëzua Drejtorit Ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në këtë proces të rëndësishëm, duke theksuar se institucionet lokale janë të gatshme të ofrojnë të gjitha dëshmitë e mundshme për të ndihmuar në ndriçimin e së vërtetës historike.
“Shpreha gatishmërinë time për bashkëpunim në këtë proces shumë të rëndësishëm për historinë dhe të kaluarën e vendit tonë, për të ofruar dëshmitë që mbajnë institucionet lokale”, ka shkruar kryetari deçanas transmeton Telegrafi.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Deçanit që posedojnë dëshmi për krimet e kryera gjatë luftës, t’i dorëzojnë ato në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës, duke vlerësuar rëndësinë e këtyre materialeve për shoqërinë dhe institucionet shtetërore në kërkimin e drejtësisë dhe të vërtetës.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Deçanit të cilët posedojnë dëshmi për krimet e kryera në Kosovë, t’i dorëzojnë në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili gjendet në kuadër të Zyrës së Kryeministrit”, ka përfunduar Ramosaj.
Këto materiale u dorëzuan në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë ngjarje mori pjesë Drejtori Ekzekutiv i Institutit, Atdhe Hetemi, dhe udhëheqësja e Divizionit për Përpunim dhe Arkivim, Kimete Haxholli. /Telegrafi/