Telegrafi

Ramos pas dramës me Lopeteguin: Spanja është e bashkuar

Shkarkimi i Julen Lopeteguit nuk ka prekur unitetin e skuadrës së Spanjës, thotë kapiteni Sergio Ramos.

Lopetegui ishte larguar nga pozita e përzgjedhësit të Spanjës, vetëm një ditë pasi u konfirmua se do të marrë drejtimin e Real Madridit me të përfunduar Kampionati Botëror.

Kjo nuk është pritur mirë nga Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) që ka reaguar ashpër duke larguar Lopeteguin nga pozita e përzgjedhësit.

Përkundër këtyre zhvillimeve, kapiteni Ramos u shpreh se skuadra kombëtare spanjolle ësht shumë e bashkuar.

“Ne jemi ekipi kombëtar, ne përfaqësojmë stemën, ngjyrat dhe tifozët, një vend të tërë”.

“Përgjegjësia dhe përkushtimi janë me ju, për juve. Dje, sot dhe nesër, të gjithë së bashku: #VamosEspana”, ka shkruar Ramos në rrjetet sociale.

Drejtimin e ekipit do të marrë një legjendë e Realit. Është Fernando Hierro ai që ka fituar pesë tituj të La Ligas dhe tri Liga të Kampionëve në karrierën e tij të shkëlqyer me Real Madridin.

Por, ai ka përvojë të mangët si trajner. Ai ka qenë asistent i Ancelottit gjatë sezonit 2014/2015, para se të marrë nën drejtim Raul Oviedon në Ligën e Dytë të Spanjës në sezonin 2016/2017.

Hierro ka punuar si drejtor sportiv i kombëtares së Spanjës që nga nëntori i vitit të kaluar dhe besohet se ai ka ndikuar shumë në largimin e Lopeteguit pas konfirmimit të tij si trajner i Realit në vlugun e përgatitjeve para fillimit të Kampionatit Botëror. /Telegrafi/