Site icon Telegrafi

Ramos me deklaratë emocionuese pasi nuk u ftua nga Spanja për Botëror: Ishte një nga ato ëndrrat e mëdha që doja ta përmbushja

Sergio Ramos është njëri nga futbollistët më të mirë në historinë e Kombëtares së Spanjës, që ka luajtur në katër kampionate botërore.

Por në Kupën e Botës të vitit 2022 që fillon pas pak ditësh në Katar, trajneri i Spanjës, Luis Enrique nuk e ka ftuar fare qendërmbrojtësin spanjoll.

Ramos ka vuajtur vitin e kaluar me lëndime, por së fundmi është kthyer në formë të mirë dhe mos ftesa për të ishte një befasi e madhe.

“Sezoni i kaluar ishte i vështirë, për shkak të dëmtimeve dhe përshtatjes me një klub të ri dhe një qytet tjetër. Kam punuar me trup dhe shpirt për t’u rikuperuar dhe për t’u ndjerë sërish vetvetja, i udhëhequr nga objektivat që i vendos gjithmonë vetes”.

“Për fat të mirë, mund të them se këtë sezon po shijoj futbollin, klubin tim dhe një qytet të madh si Parisi”, tha Ramos.

Tutje Ramos foli edhe për mos ftesën, duke thënë se ishte një ëndërr e madhe e tij të luaj në pesë Kupa të Botës.

“Sigurisht, ishte një nga ato ëndrrat e mëdha që doja ta përmbushja. Do të ishte e pesta, por fatkeqësisht, do të më duhet ta shikoj nga shtëpia”, tha Ramos duke shtuar se është e vështirë, por që dielli lind përsëri çdo ditë.

“Është e vështirë, por çdo ditë dielli lind përsëri. Absolutisht asgjë nuk do të ndryshojë tek unë. As mentaliteti, as pasioni im, as këmbëngulja, as mundi dhe përkushtimi, duke menduar 24 orë për futbollin”.

“Kjo është ajo që unë ndiej dhe doja ta ndaja me ju. Faleminderit të gjithëve për dashurinë, ka shumë sfida dhe synime për të përmbushur. Shihemi se shpejti”, ka deklaruar qendërmbrojtësi.

Ramos ka fituar dy Kampionate evropiane me Spanjën dhe një herë Kupën e Botës. /Telegrafi/

Exit mobile version