Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka përfaqësuar kryeqytetin në Kongresin Botëror të Qyteteve të Gjelbra të Ardhmërisë në Holandë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama thotë që së bashku me partnerët nga ‘USAID Kosovo Adapt Activity ‘dhe përfaqësues të tjerë nga Kosova kanë marrë pjesë me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe përvojave për ndërtimin e qyteteve më të qëndrueshme dhe miqësore ndaj mjedisit, transmeton Telegrafi.
“Ky event i rëndësishëm mblodhi ekspertë, liderë dhe inovatorë nga rreth 60 vende, të gjithë të përkushtuar për ndërtimin e qyteteve të qëndrueshme dhe rezistente për të ardhmen. Nga diskutimet për zgjidhje të infrastrukturës së gjelbër, deri te përvojat mbi transformimin e hapësirave urbane në Amsterdam, ky ishte një udhëtim me mësime të çmuara që do të ndihmojnë Prishtinën të ecë drejt një të ardhmeje më të gjelbër”, ka shkruar Rama në Facebook.
Tutje, Rama thotë që së “bashku me USAID Kosovo Adapt Activity, jemi të përkushtuar për të avancuar iniciativat e adaptimit ndaj ndryshimeve klimatike dhe qëndrueshmërisë, duke përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët tanë”.
“Të punojmë së bashku për një Prishtinë që është moderne, e qëndrueshme dhe rezistente ndaj sfidave të mjedisit”, thekson ai./Telegrafi/