Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se kanë shpallur tenderin për projektin “Solar4Kosovo II – Ngrohja Qendrore Solare”, Loti 1 – Impianti i Ngrohjes Qendrore.
Rama thotë se përmes Termokos, po i japin kuptim Prishtinës së Gjelbër, transmeton Telegrafi.
“Përmes realizimit të këtij projekti, do të kemi mundësinë të ofrojmë shërbim për 32,000 qytetarë të Prishtinës në pesë lagje: Tophane, Prishtina e Vjetër, Lakrishte, Kalabria dhe Mahalla e Muhaxherëve. Solar4Kosovo është projekti i vetëm i këtij lloji në Ballkan dhe i dyti më i madhi në Evropë për nga madhësia. Ai do të prodhojë energji të pastër termike me një kapacitet prej 50 MW, përmes paneleve solare termike me sipërfaqe 63,000 m² dhe një rezervuari për akumulimin e ujit të ngrohtë me kapacitet 380,000 m³”, shkruan Rama në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar se përfitimet për Prishtinën në aspektin mjedisor do të jenë të mëdha, duke e vendosur kryeqytetin në hartën botërore të qyteteve të gjelbra.
“Ky projekt do të mundësojë një kursim prej 44,000 ton CO₂ në vit”, tha ai.
Ai ka shtuar tutje se aplikantët e interesuar janë të ftuar të paraqesin aplikimet e tyre.
Parakualifikimi përfshin prokurimin e një impianti solar të ngrohjes qendrore, i cili përbëhet nga: Një rezervuar sezonal për ruajtjen e energjisë termike të ujit (PTES). Një fushë kolektorësh termikë diellorë (SCF).
“Projekti do të realizohet në përputhje me Kushtet e Kontratës për Ndërtimin e Impiantit dhe Projektimin (FIDIC – Libri i Verd hë). Koha e parashikuar për përfundimin është 30 muaj, plus një fazë 6-mujore e komisionimit”.
“Si të aplikoni? Dokumentet e parakualifikimit mund të kërkohen nga agjenti i tenderit në këtë adresë emaili: s4k_lot1@ic-group.org”./Telegrafi/