Telegrafi

Ralf Schumacher zbuloi se është homoseksual, por për shkak të deklaratës së vitit 2021 ai po quhet hipokrit

Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher ka postuar dje (e hënë) në Instagram një foto me partnerin e tij dhe ka pranuar publikisht se është homoseksual.

Vëllai i pilotit më të famshëm të F1, Michael, ka shkruar disa fjalë në foton e publikuar.

“Gjëja më e bukur është kur ke një partner të vërtetë në jetë me të cilin mund të ndash gjithçka”, ka shkruar Ralf në profilin e tij.

Ky postim shkaktoi reagime të ndryshme në rrjetet sociale, ku shumica mbështeti gjermanin dhe vendimin e tij për të zbuluar publikisht se është homoseksual.

Ka edhe nga ata që kujtojnë deklaratat e tij të vitit 2021 dhe e quajnë hipokrit.

Gjegjësisht, kur Lewis Hamilton ishte duke vozitur në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite, ai vendosi të ketë një flamur ylber në kapelën e tij në shenjë mbështetjeje për anëtarët e LGBT, e cila pothuajse nuk ka të drejta në atë pjesë të botës.

Më pas ka reaguar Ralf Schumacher i cili në një intervistë për Sport1 ka thënë se nuk duhet të bëjë gjëra të tilla në pistë.

“Vlerat e tij janë të rëndësishme dhe ai mund t’i përfaqësojë ato në mediat sociale. Pyetja e vërtetë është pse ai e bën atë gjithmonë në pistë, me një uniformë të Mercedes. Mund të jetë një pyetje shumë polarizuese. Nëse shoferët shkojnë në gjëra të tilla pa duke menduar, është e rrezikshme dhe sporti nuk e meriton”, tha Ralf në atë kohë. /Telegrafi/