Ferrari dominon provat zyrtare të Çmimit të Madh të Monakos dhe pushton vijën e parë të nisjes.
Kimi Raikkonen ishte ai që fitoi “pole position” në pistën e Principatës me finlandezin që e përshkoi atë me kohën 1 minutë 12 sekonda e 178 të mijtat duke vendosur një rekord të ri të pistës.
Për finlandezin kjo është hera e parë që fiton “pole position” në një garë të Formula 1 që nga viti 2008.
Nuk mundi dot Sebastian Vettel që të rivalizojë me shokun e tij të skuadrës, duke u kënaqur me vendin e dytë me vetëm 43 të mijtat më shumë se Raikkonen.
Për Mercedes kjo ditë nuk ishte shumë pozitive. Në sesionin e tretë të provave, skuderia gjermane u përfaqësua vetëm nga Bottas që do të niset i treti në garë, ndërkohë që Hamilton nuk shkoi më shumë se vendi i 14, transmeton TCH.
Gjithsesi britaniku do të niset i 13 pasi Buton, që ishte mes 10 pilotëve më të mirë, u penalizua me 15 pozicione për shkak të ndërrimit të njësisë së fuqisë së motorit të McLaren.
Tashmë mbetet për t’u parë gara e nesërme nëse dy makinat Ferrari do të ruajnë dy vendet e para. Gara do të transmetohet nga Top Channel në orën 14:00.