Site icon Telegrafi

Radiolidhjet e Hezbollahut që shpërthyen në Liban, pretendohet se janë prodhuar nga një kompani japoneze

Kompania japoneze Icom ka njoftuar sot se po heton rastin, pas raportimeve në media se radiolidhjet që bartnin logon e tyre kanë shpërthyer në Liban.

“Sot në mediat botërore është raportuar se radiolidhjet që bartnin logon e Icom kanë shpërthyer në Liban”, thuhet në kumtesën e kompanisë, transmeton Telegrafi.

“Aktualisht jemi duke hetuar rastin. Do t’ju njoftojmë sapo të marrim informacionet më të reja”, u tha ndër tjera.

Në valën e dytë të shpërthimit të pajisjeve elektronike, të paktën 20 persona humbën jetën dhe 450 tjerë u plagosën të mërkurën në Liban, që pjesërisht kontrollohet nga Hezbollahu.

Burime brenda Hezbollahut kanë bërë të ditur se radiolidhjet e përdorura nga anëtarët e saj në Bejrut kanë shpërthyer, shpërthim i ngjashëm me ato në jug dhe lindje të Libanit.

Ky sulm erdhi një ditë pasi shpërthime të ngjashme vranë 12 pjesëtarë të Hezbollahut dhe mbi 2,800 tjerë u plagosën në tërë Libanin, kur pejxherët e tyre shpërthyen. /Telegrafi/

Exit mobile version