Site icon Telegrafi

Ra nga dritarja e katit të katërt, 2-vjeçari nga Rumania i shpëton vdekjes – vigu i teshave të fqinjëve ndali rrëzimin e fuqishëm në tokë  

Në qytetin rumun Sibi një djalë 2-vjeçar shpëtoi mrekullisht kur ra nga kati i katërt i një ndërtese kolektive – kurse e ëma e tij do të merret në pyetje nga policia pasi tentoi ta fshehë incidentin që ndodhi.

Vogëlushit besohet se ia shpëtoi jetën vigu i teshave i fqinjëve, duke ia zvogëluar presionin e rrëzimit në tokë, transmeton Telegrafi.

Djaloshin e gjetën fqinjët duke qëndruar i shtrirë në barti pranë ndërtesës – pasi dëgjuan një krismë të madhe.

Ai po luante me vëllain e madh në dhomë kur u ngjit në dritaren që ishte e hapur dhe ra në tokë.

“Dëgjova krismën dhe britmën e fqinjëve duke i telefonuar ndihmës së shpejtë. Njerëzit bërtisnin para ndërtesës dhe menjëherë vrapova në dritare. Pashë fëmijë duke qëndruar i shtrirë në bari”, tha njëri nga fqinjët.

Me të zbritur poshtë, pa se vogëlushi kishte vetëm disa gërvishtje të vogla.

“Ra në vigun e teshave të fqinjit në katin e tretë – dhe duket se kjo ia zvogëloi presionin gjatë rrëzimit. Është mrekulli, ra nga kati i katër dhe mbijetoi”, shtoi fqinji.

Ndërkaq e ëma në vend se t’i telefonojë menjëherë mjekëve, mori vogëlushin dhe u fut në apartament.

“Mori vogëlushin dhe vazhdimisht na thoshte që të mos i telefonojnë ndihmës së shpejtë. Thoshte se fëmija është mirë dhe se nuk është nevoja të telefonohet ndihma e shpejtë”, theksoi për fund fqinji.

Sikur kjo të mos mjaftonte, e ëma filloi t’i sulmojë fqinjët.

“I thash se duhet t’i telefonojë menjëherë ndihmës së shpejtë dhe policisë. Ajo më tha që të mos përzihem, dhe se nuk është problem i imi dhe u fut në ndërtesë”, tha një fqinj tjetër.

Me t’u futur brenda, fqinjët megjithatë i telefonuan policisë. Vogëlushi menjëherë u hospitalizua dhe u konstatua se nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version