Site icon Telegrafi

Qyteti kinez “ende zyrtarisht në verë” teksa po sheh një rekord 30-vjeçar temperaturash

Një nga qytetet më të mëdha të Kinës është “ende zyrtarisht në verë”, pavarësisht se është mesi i nëntorit, pasi temperaturat nuk kanë arritur të zbresin nën pragun që konsiderohet i nevojshëm për të shënuar ndryshimin e sezonit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, këtë javë, Guangzhou, një qytet i nxehtë dhe i lagësht me gati 19 milionë banorë në provincën Guangdong të Kinës jugore, theu një rekord të nxehtësisë prej tre dekadash, sipas shërbimit lokal meteorologjik.

Deri të mërkurën, qyteti kishte përjetuar 235 ditë vere, duke mposhtur sezonin 234-ditor të vitit 1994.

Shërbimi meteorologjik i Guangdong lidh ndryshimin e stinëve me temperaturën, jo datën kalendarike.

Vjeshta konsiderohet se fillon kur temperatura mesatare pesëditore është më e ulët se 22C.

Sezoni në përgjithësi fillon rreth 9 nëntorit, por temperaturat parashikohet të qëndrojnë në nivelet e verës deri të paktën më 18 nëntor, sipas një deklarate të publikuar në llogarinë WeChat të qeverisë provinciale.

Këtë vit vera filloi më 23 mars.

Ngjarjet ekstreme të motit janë bërë më të zakonshme në të gjithë Kinën vitet e fundit, me thatësirat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit që rëndojnë infrastrukturën, veçanërisht rrjetet e energjisë elektrike. /Telegrafi/

Exit mobile version