Telegrafi

Qytetari ankohet për mos funksionimin e semaforëve, Komuna e Prizrenit e arsyeton me mungesën e energjisë elektrike  

Qytetarët e Prizrenit përmes platformës Ndreqe kanë adresuar shqetësimin lidhur me funksionimin e semaforëve në udhëkryqin afër Tregut të Gjelbër.

Në ankesën e një qytetari, të paraqitur në fillim të këtij muaji, është theksuar se semaforët në fjalë nuk kanë punuar më shumë se dy javë, raporton Telegrafi.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunë e Prizrenit, Çelë Lamaj lidhur me këtë ankesë ka bërë të ditur se ekipi përkatës ka dalë në terren dhe nuk ka konstatuar ndonjë prishje.

“Pas daljes në terren kemi konstatuar se semaforët në lokacionin e përmendur janë duke funksionuar. Ka gjasa që ato kanë qenë jashtë funksionit përkohësisht si pasojë e ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike. Për çdo rast, ekipi i DShP-së do ta monitorojë funksionimin e tyre dhe në rast se paraqitet nevoja do të intervenohet me kohë”, ka thënë Lamaj për Telegrafin.

Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në platformën Ndreqe.com lidhur me parregullsitë eventuale në vendbanimet e tyre, teksa organet përkatëse konform mundësive po ndërmarrin veprime për zgjidhjen e këtyre problemeve. /Telegrafi/