Telegrafi

Qytetarët raportuan për dëmtimet, Komuna e Suharekës realizon tri intervenime

Qytetarët e Komunës së Suharekës në raste të ndryshme kanë paraqitur shqetësimet e tyre për dëmtimin në një trotuar, për një gropë në mes të rrugës dhe për vazot e thyera te sheshi i qytetit.

Për zgjidhjen e këtyre problemeve ata janë ankuar në platformën Ndreqe.com, transmeton Telegrafi.

Pas raportimit të qytetarëve në këtë platformë, Komuna e Suharekës ka njoftuar se ka intervenuar në dy rrugë të qytetit, ku te njëra rregulloi trotuarin e dëmtuar, ndërsa te tjetra largoi gropën e cila gjendej në mes të rrugës.

“Gjithashtu, Komuna ndërroi edhe disa vazo të thyera te sheshi, në të cilat ka mbjellë edhe lule”, thuhet në njoftimin e Komunës së Suharekës.

Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në platformën Ndreqe.com për parregullsitë në vendbanimet e tyre, teksa organet përkatëse konform mundësive po ndërmarrin veprime për zgjidhjen e këtyre problemeve. /Telegrafi/