Banorët në Lipjan prej vitesh po vazhdojnë të ankohen se institucionet lokale nuk po angazhohen për trajtimin e qenve endacakë. Sipas qytetarëve, në këtë qytetet qentë endacakë gjatë muajve të fundit janë bërë më agresiv. Ata thonë se më të rrezikuar janë fëmijët dhe nxënësit të cilët shkojnë në shkollë në orët e hershme të mëngjesit.
Megjithëse trajtimi i qenve endacakë prej vitesh ka kaluar në kompetenca të nivelit qendror, Komuna e Lipjanit ka bërë disa hapa për t’i trajtuar një pjesë të tyre, por prapë se prapë një numër i madh i qenve kanë mbetur rrugëve.
Rexhë Ngucati, banor nga Lipjani ka thënë se shpeshherë qentë endacakë në Lipjan po i rrezikojnë qytetarët dhe fëmijët, andaj ka kërkuar nga institucionet lokale që të hartojnë ndonjë plan ideor për trajtimin e tyre.
“Të gjithë jemi të rrezikuar e shpeshherë edhe fëmijët derisa po shkojnë në shkollë. Shpeshherë mbi 20 qen endacakë dalin në qendër dhe në sheshin e qytetit dhe i rrezikojnë qytetarët. Institucionet përkatëse duhet të angazhohen për ta hartuar ndonjë plan sepse është shqetësuese gjendja e tyre”, është ankuar ai.
Ngucati shpjegon se lidhur me këtë gjendje ka biseduar personalisht edhe me drejtuesit e shkollës fillore në qytet me qëllim që të iniciohet një kërkesë institucionale për trajtimin e tyre.
“Si prindër jemi të shqetësuar sepse fëmijët i jemi më së shumti të rrezikuar, andaj kemi kërkuar edhe nga shkolla që ta paraqes këtë shqetësim zyrtarisht në Komunë”,ka thënë ai.
Në anën tjetër komuna e Lipjanit nuk u është përgjigjur pyetjeve të Telegrafit, lidhur me këtë çështje. /Telegrafi/