Qytetarët në Ferizaj kanë kërkuar me urgjencë nga qeveria e re ta riasfalton me urgjencë magjistralen në drejtim të Prishtinës pasi që ajo është degraduar në masë të madhe. Qytetarët kanë thënë se nuk ka rëndësi cila parti do ta formon qeverinë e re, por prioritet i tyre duhet të jetë riasfaltimi i kësaj rruge pasi që qindra e mijëra biznese e qytetar për çdo ditë e frekuentojnë këtë rrugë të degraduar dhe me gropa.
Lidhur me shqetësimet e qytetarëve, Telegrafi ka raportuar edhe muaj më parë, ndërkohë Ministria e Infrastrukturës vazhdon të mos përgjigjej rreth kësaj çështje.
Qerim Krasniqi, banor nga Ferizaj, ka thënë për telegrafin se kushdo që e formon qeverinë , qytetarët e Ferizajt janë në pritje urgjente për riasfaltimin e magjistrales.
“Kjo rrugë kaq e frekuentuar po vazhdon të mbetet në gjendje të rëndë. Qytetarët kanë dalë në zgjedhje dhe e kanë kryer obligimin e tyre për të votuar, kurse tash nuk ka rëndësi se kush do të qeverisë me nivel qendror, por ne kërkojmë asfaltimin e kësaj magjistrale me urgjencë, madje që në muajt e parë të punës së qeverisë. Këtë po e themi në emër të të gjithë qytetarëve sepse të gjithë po e frekuentojmë këtë magjistrale dhe po e shohim se ajo është degraduar në masë të madhe”, ka kërkuar ai.
Sipas tij sa herë që ka të reshura të shiut, rruga bëhet e pa kalueshme.
Lidhur me këtë çështje ka pasur reagime edhe nga shoqëria civile “Avonet” duke e kritikuar ish qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje për mos asfaltimin e kësaj rruge.
“Shkaku i gropave të mëdha në këtë rrugë qytetarëve po u dëmtohen veturat, andaj kjo është një papërgjegjësi e institucioneve të nivelit qendror. Prandaj kërkojmë me urgjencë të asfaltohet kjo rrugë e cila i takon ministrisë së Infrastrukturës”, thuhet midis të tjerash në reagimin e kësaj OJQ-je./Telegrafi/