Site icon Telegrafi

Qytetarët e Kamenicës raportojnë papastërtinë në hapësirat publike

Banorët e Komunës së Kamenicës kanë ngritur shqetësime lidhur me papastërtinë në zona të ndryshme publike, duke i adresuar ankesat e tyre përmes platformës ndreqe.com.

Ata kanë publikuar edhe pamje që tregojnë grumbullimin e mbeturinave në disa lokacione.

Një qytetar ka raportuar për mbeturina në rrugën “Petriti” në fshatin Petrit, ndërsa një tjetër ka denoncuar ndotjen në parkun e fshatit Hodonoc, ku përveç mbeturinave, ka raportuar edhe dëmtime të shtyllave elektrike brenda parkut.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në rrugën Novosellë-Karaçevë, ku qytetarët kanë vërejtur mbeturina përgjatë gjithë segmentit rrugor, deri në afërsi të fshatit Karaçevë e Ulët.

Po ashtu, një tjetër denoncim vjen nga skajet e lumit në fshatin Karaçevë e Ulët, konkretisht në rrugën “Erion Foniqi”, ku janë parë grumbuj mbeturinash.

Ndërkohë, në fshatin Rogaçicë, qytetarët kanë publikuar pamje nga vendi i tregut, ku mbeturinat janë bërë shqetësim i madh për komunitetin.

Banorët kërkojnë nga autoritetet komunale ndërhyrje të menjëhershme për pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, duke theksuar rëndësinë e një mjedisi të pastër për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version