Një djalë 10-vjeçar, i qortuar nga i ati për moskryerjen e detyrave të shtëpisë, u hakmor ndaj prindit duke telefonuar policinë dhe duke pretenduar se ai po fshehte droga të ndaluara. Ngjarja e çuditshme ndodhi në fillim të këtij muaji në qarkun Yongning të Kinës.
Pasi u qortua ashpër nga i ati për moskryerjen e detyrave në kohë, djali 10-vjeçar doli i zemëruar nga shtëpia dhe shkoi drejt një dyqani aty pranë, ku kërkoi të përdorte telefonin, shkruan odditycentral.
Nxënësi i klasës së pestë telefonoi në 110, numrin e emergjencave në Kinë, dhe kërkoi të fliste me policinë, duke pretenduar se kishte prova që i ati po fshihte lëvozhga lulëkuqeje – të cilat konsiderohen drogë e paligjshme – në shtëpi. Më pas, ai priti qetësisht që policia të mbërrinte dhe i udhëhoqi ata drejt shtëpisë për të kryer një kontroll.
Gjatë kërkimit, policia gjeti tetë lëvozhga të thara lulëkuqeje në ballkonin e shtëpisë, dhe i ati i djalit pranoi se i kishte blerë, por shtoi se synonte t’i përdorte vetëm për qëllime mjekësore.
Ai shprehu keqardhje për shkeljen e ligjit, i cili i klasifikon lëvozhgat e lulëkuqes si substancë të rrezikshme, por këmbënguli se nuk e dinte se po kryente një vepër të paligjshme. Policia sekuestroi provat dhe e shoqëroi të dyshuarin në stacionin më të afërt, duke ia kaluar çështjen Brigadës Kundër Narkotikëve.
Policia kineze po e përdor këtë rast të pazakontë për të kujtuar edhe një herë publikun se është e paligjshme të kultivosh ose të posedosh lëvozhga lulëkuqeje pa leje dhe se shkelësit do të përballen me ndëshkime penale.
Edhe pse lëvozhgat e thara kanë vlera mjekësore, si lehtësimi i dhimbjeve, përmirësimi i gjumit dhe ulja e stresit, fakti mbetet se kultivimi dhe posedimi i tyre janë të ndaluara, pasi lidhen me prodhimin e opiumit – një drogë që dikur e çoi Kinën drejt kolapsit.
Ndoshta po pyesni se çfarë ndodhi me djalin 10-vjeçar pas kësaj ngjarjeje. Edhe ne po e pyesim veten, por mediat kineze nuk duket se kanë një përgjigje. Ka shumë mundësi që ai të mos e ketë imagjinuar kurrë se, nga zemërimi, mund të rrezikonte ta fuste të atin në burg… por ja ku jemi! /Telegrafi/