Qeveria e Kosovës sot ka vendosur që t’u kërkojë katër komunave në veri të Kosovës mbi 11 milionë euro për të paguar një pjesë të borxhit të KOSTT-it si pasojë e devijimit të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit ENTSO-E.
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se kërkesa për mbështetje financiare nga KOSTT-it është bërë nën arsyetimin se rrezikon likuiditetin nga ndëshkimet
“Nga KOSTT-i sivjet kemi pranuar para dy ditësh kërkesë për mbështetje financiare, për shkak se ndërmarrja ka problem me likuiditet dhe rrezikon nga ndëshkimet, si rezultat i devijimeve të energjisë në rrjetin evropian të transmisionit, devijime që vijnë për shkak të katër komunave në veri”, ka thënë Murati.
Si Qeveri kemi thënë se energjia duhet të paguhet nga ata që e shpenzojnë dhe pavarësisht devijimeve do të konsiderohet borxh. Marrë parasysh se kjo është shpenzuar nga qytetarët që jetojnë në këto katër komuna, është më se e drejtë që edhe barra për pagesë të këtij borxhi t’u takojë atyre. Në mënyrë që të paguhet një pjesë e këtyre borxheve kemi kërkuar nga këto katër komuna që ta deklarojnë buxhetin e tyre si kursim, përfshirë edhe fondin zhvillimor të mirëbesimit që tashmë është i alokuar në këto komuna. Këto mjete do të përdoren për të shlyer një pjesë të borxhit ndaj KOSTT-it”, ka thënë Murati.
Sipas tij, për këtë devijim Mitrovica e Veriut duhet të ndajë 6.5 milionë euro, Zveçani 1.1 milionë euro, Zubin-Potoku 1.6 dhe Leposaviqi 2.6 milionë euro.
Ndërkaq, i vetmi që abstenoi në këtë ishte ministri Nenad Rashiq. /Telegrafi/