Një zëdhënës i qeverisë izraelite ka mbajtur konferencë shtypi në Tel Aviv.
Në fjalën e tij hyrëse, zëdhënësi përsëriti qëllimet e luftës së Izraelit dhe raportoi numrin e viktimave në Gaza, por nuk përmendi sulmet në Liban.
Sa i përket negociatave të armëpushimit, zëdhënësi tha se kryeministri Benjamin Netanyahu hedh poshtë pretendimin se ai “rrezikon çdo marrëveshje për shkak të konsideratave politike”.
I pyetur nëse Izraeli po përgatitet për operacione tokësore kundër Hezbollahut, ai tha: “Izraeli është i përgatitur si për mbrojtje ashtu edhe për sulm”, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Zëdhënësi vazhdon: “Situata aktuale thjesht nuk është e qëndrueshme”.
“Kryeministri ka thënë se ndryshimi i balancës së forcave në kufirin tonë verior është i nevojshëm dhe i domosdoshëm”.
Duke iu referuar sulmeve ndërkufitare, ai tha: “Izraeli po i përgjigjet me forcë këtij agresioni të Hezbollahut. Ne do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të rivendosur sigurinë në kufirin tonë verior dhe për t’i kthyer të sigurt qytetarët tanë në shtëpitë e tyre”.
“Ne do t’i përgjigjemi me forcë këtij agresioni të paprovokuar nga Hezbollahu”, shtoi zëdhënësi duke iu referuar sulmeve me raketa nga Libani.
I pyetur për marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Izraelit, ai tha: “Izraeli e konsideron aleat çdo vend që e kupton situatën unike të këtij vendi. Ne po qëndrojmë për lirinë këtu”. /Telegrafi/